Detaje të reja janë bërë publike pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ngjarje e ndodhur ditën e hënë më 6 tetor 2025.
Rezulton se Gjon Shkambi, xhaxhai i autorit të dyshuar Elvis Shkambi, kishte paralajmëruar publikisht për konfliktin e gjatë për një pronë, madje kishte kërcënuar hapur me dhunë gjatë një emisioni televiziv të transmetuar një vit më parë.
Gjatë debatit në studio, Gjon Shkambi shprehej:
“Ja gjej unë formën si me e liru. Si ta minoj në katër qoshet se është prona ime. E kam me certifikatë. Të gjithë do t’ju hedh në erë. Po ju paralajmëroj, të gjithë do t’ju hedh në erë.”
Konflikti është për një godinë në lagjen “Skënderbeg” në Shkodër, e njohur si ish-Shkolla e Rezervave, për të cilën Shkambi pretendonte pronësinë dhe ku, sipas tij, ishin bërë veprime të paligjshme.
Një vit më vonë, nipi i tij, Elvis Shkambi, 30 vjeç, ekzekutoi me armë gjyqtarin Astrit Kalaja në sallën e gjyqit, pasi ky i fundit kishte dhënë një vendim që binte në kundërshtim me pretendimet e xhaxhait të tij. Autori qëlloi gjithashtu edhe drejt palës tjetër në proces, Ragip Kurtaj dhe djalit të tij, Ervis Kurtaj, duke i lënë të plagosur.