Fatmata quhet emigrantja afrikane 23-vjeçare e cila vdiq të mërkurën e kaluar duke kaluar kufirin ilegalisht nga Greqia për në Maqedoninë e Veriut. Kjo ngjarje ishte heshtur për thuajse një javë, derisa është alarmuar nga organizata për refugjatë “Second tree”, përcjell INA.
Sipas një versioni zyrtar të autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, emigrantja u vra të mërkurën e kaluar, si pasojë e një plumbi që ishte shkrepur nga pistoleta e një polici, që siç thuhet në momentin kur njëri prej kontrabandistëve kishte sulmuar një polic duke tentuar t’ia marr pistoletën dhe gjatë përleshjes është shkrepur një plumb që kishte goditur për vdekje Fatmatën.
Më tej thuhet se tragjedia ka ndodhur pasi që janë ndaluar dy makina që ilegalisht po transportonin emigrantë.
Organizata “Second Tree”, e cila punon në kampet e refugjatëve në pjesën veriore të Greqisë, në llogarinë e saj zyrtare në twitter shkruan se Fatmata u vra nga një polic maqedon.
“Fatmata ka vdekur. Ajo u qëllua nga policia në Maqedoninë e Veriut të mërkurën. Ajo sapo kishte kaluar kufirin nga Greqia, vendi që i kishte mohuar azilin…
“Ajo ishte e ngrohtë, entuziaste dhe e gëzuar. Nëse nuk do ta dinit, as që do ta merrnit me mend se ajo jetoi në një kamp refugjatësh, ishte 23 vjeçe. Ajo ishte plotë jetë, gjithmonë e gatshme për të ndarë forcën dhe energjinë e saj dhe i pëlqente të kërcente. Ajo kërceu dhe këndoi “me majë të zërit”, siç e përshkruan motra e saj Brintina. Mendoni për atë , sepse kështu do ta kujtojmë. Ajo ishte pjesë e organizatës sonë”, shkruan Second Tree.
Fatma kishte edhe burrin Abubakarin dhe njiheshin që si fëmijë. Ata shpesh e quanin njëri-tjetrin “gjithçka e imja”.
Dy muaj para se të vritej, Fatmata i tha Abubakarit se ishte shtatzënë, por duke qenë se nuk kishin dokumente dhe para, nuk bënë kurrë një test shtatzënie.
Ai ishte i pranishëm kur u qëllua Fatma.
-Ai thërriste emrin e saj, lutej për ndihmë, thonë nga organizata “Second tree”, duke shtuar se ka edhe një video ku Abubakar përqafon Fatmën teksa ajo po vdiste nga plaga me armë zjarri.
Menjëherë më pas, bashkëshorti i Fatmës u arrestua dhe u mbajt në paraburgim për një ditë pa asnjë lajm për gruan e tij. I është ofruar që ta lënë në kufi me Serbinë që të vazhdoj më tej, por ai ka deklaruar se “kërkon drejtësi për Fatmën”.
Giovanni dhe Juliet nga organizata “Second Tree” tani janë me Abubakar në Maqedoninë e Veriut. Ai ende nuk e di se ku ndodhet trupi i Fatmës dhe kërkon ta shohë që nga dita që u ndanë. Ai ka një avokat me vete dhe janë gati të kërkojnë drejtësi, thonë nga organizata.
Bashkëshorti i Fatmatës tregon momentet e fundit që ka kaluar me të para se ajo të vritej. Dëshira e Abubakarit, siç ka bërë të ditur organizata, është që bota të dijë për këtë rast. Të njëjtën dëshirë ka edhe familja e Fatmasë, e cila ishte më e vogla nga pesë vëllezërit e motrat.
Për rastin tragjik në Gjevgjeli janë në paraburgim dy persona të dyshuar për veprën e kontrabandës me emigrantë. Sipas një raporti hetimor të 20 prillit nga vendi i ngjarjes, policia ka ndaluar transportuesit ilegal të emigrantëve dhe policët derisa kanë tentuar ta privojnë nga liria njëri nga të dyshuarit, ky i fundit ka sulmuar fizikisht zyrtarin policor dhe gjatë sulmit është shtënë një plumb nga arma e policit, e cila ka shkaktuar pasoja fatale duke përfunduar në trupin e një gruaje emigrante e cila ishte në karrigen e pasme të automjetit.
Për të hetuar përgjegjësinë e punonjësit të policisë, prokuroria ka ngritur çështjen dhe ka lëshuar urdhër për ekspertizë të vijave papilare të armës zyrtare, si dhe gjurmë të tjera, në bazë të të cilave do të konstatohet se kush ka qëlluar me armë zjarri që i shkaktoi vdekjen e emigrantes.(INA)