Prokuoria e Korçës ka përfunduar hetimet për vrasjen e 42-vjeçarit Egli Proga.
Prokuroria ka ngritur akuzën për vrasje me dashje ndaj Denis Meçes. Ndërsa ndaj 3 personave të tjerë, Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe, për “moskallëzim krimi” dhe “veprime që pengojnë zbardhjen e së vërtetës”.
Denis Meçe dyshohet se dhunoi për vdekje 42-vjeçarin Egli Proga, ngjarje e ndodhur 10 Gusht në lagjen nr.1 të qytetit të Pogradecit.
Voltan Shulku, Arian Manellari dhe Leonidha Guçe raportohet se kanë qenë të pranishëm kur ka ndodhur ngjarja dhe nuk kanë kallëzuar krimin duke penguar zbardhjen e së vërtetës.
Tre të akuzuarit, që ishin të pranishëm në vendngjarje u liruan nga Gjykata e Korçës më 13 gusht, e cila caktoi ndaj tyre masën e sigurisë “detyrim paraqitje”.
Por, togat e zeza kanë ndryshuar më (12 Tetor) masën ndaj tyre nga “Detyrim paraqitje në Policinë Gjyqësore”, në “Arrest në burg”, për veprën penale “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës”.
Kujtojmë se Prokuroria e Korçës ka arritur në përfundimin se ka pasur ndërhyrje në kamerat e brendshme të lokalit, pas më shumë se dy muajsh hetime për vdekjen e Egli Progës, për të cilën mbeten mister rrethanat se si ndodhi ngjarja.
42-vjeçari u dërgua pa shenja jete në spital, ndërsa nga ana e familjarëve të viktimës ka pasur akuza për tentativë të fshehjes së ngjarjes.
Gjithashtu në lidhje me vrasjen e Egli Progës, pati një përplasje publike të pazakontë mes Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë, pasi kjo e fundit ndryshoi akuzën ndaj autorit të dyshuar Denis Meçe në “vrasje nga pakujdesia”.