Nuk ka ende asnjë të dyshuar për vrasjen e Dilaver Bojkut. Policia është duke punuar në mënyrë intensive në kapjen e autorit. Nga SPB Ohër për TV SHENJA kanë thënë se në bisedë informative kanë ftuar disa persona dhe janë realizuar anketa me qytetarët. Përveç autorit, për MPB-në të paktën zyrtarisht janë ende të panjohura edhe motivet e vrasjes. Në opinion spekulohet se bëhet fjalë për hakmarrje.
Kujtojmë se Dilevar Bojku- Leku u qëllua për vdekje tre ditë më parë me plumb në kokë, në restorantin e tij “Aqua Blu”. Policia ka publikuar edhe përshkrimin e personit i cili kërkohet për vrasjen e Bojkut: I gjatë rreth 1.70 centimetra, jo shumë i zhvilluar dhe i moshës rreth të tridhjetave. Sulmuesi i Bojkut, sipas policisë ka qenë i veshur me bluzë ngjyrë të mbyllur, pantallona të shkurta po ashtu me ngjyrë të mbyllur si dhe sandale verore. Në kokë ka mbajtur kapelë të bardhë dhe syze të zeza për diell.
Në momentin që ka shtënë ndaj Bojkut, ai është larguar nga vendi i ngjarjes. Pas tij janë nisur edhe djali i Dilaver Bojkut dhe një person tjetër, të cilët janë ndalur në momentin kur sulmuesi ka filluar të gjuaj me armë zjarri edhe ndaj tyre.
“Bosi i prostitucionit në Ballkan”, siç edhe njihej Bojku, vazhdimisht ka pasur problem me organet e rendit. Kundër tij deri në vitin 2001 janë ngritur 17 padi për ndërmjetësim gjatë prostitucionit.
Në vitin 2003, gjykata i shqiptoi dënim prej gjashtë muajve me burg për tregti me njerëz, por Bojku u largua nga burgu i Strugës.
Dy muaj pas ikjes ai u arrestua në Ulqin dhe u ekstradua në Maqedoni ku u dënua me katër vjet burg. Pas përfundimit të dënimit, Bojku përfshihet në biznes legal në sferën e turizmit dhe hotelierisë.
Enis Murtezi /SHENJA/

