Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve të Shqipërisë, Klevis Qosë, i pranishëm në Komisionin e Sigurisë, ka cekur ngjarjen e rëndë të ndodhur dhjetorin e vitit të kaluar, kur në burgun e Peqinit, Arben Lleshi u vra nga Sokol Mjacaj.
Lidhur me këtë ngjarje, fillimisht Qose sqaroi se arma është futur në mënyrë kontrabandë në ambientet e burgut.
Më pas, ai tha se disa punonjës të institucionit janë nënshtruar një hetimi, duke hedhur kështu dyshimin se Mjacaj ka qenë i ndihmuar nga oficerë të burgut për futjen e armës.
Por sakaq, Qose u shpreh se nevojitet një analizë e thelluar dhe ka filluar hetimi administrativ deri në përfundimin e hetimit penal.
“Më datë 15 dhjetor 2023 në burgun e sigurisë së lartë në Peqin u vra një i burgosur me armë zjarri pistoletë nga një i burgosur tjetër. Lidhur me këtë ngjarje, rrethanat e kryerjes, bashkëpunimit dhe mënyra si kishte hyrë arma kontrabandë burgut, po kryhet një hetim i thelluar nga Prokuroria. Disa punonjës janë marrë nën hetim lidhur me veprimet dhe ndërveprimet e tyre, por deri tani nuk janë përfunduar hetimet. Sa i përket veprimeve të ndërmarra nga Drejtoria e Burgjeve është kryer një analizë e thelluar dhe ka filluar hetimi administrativ deri në përfundimin e hetimit penal”, tha Drejtori i Burgjeve.
Arben Lleshi u vra në burgun e Peqinit në dhjetor të vitit 2023 nga Sokol Mjacaj. Prokuroria dyshon se bëhet fjalë për një vrasje me pagesë, por ende nuk ka mundur të identifikojë porositësit. Vrasësi i dyshuar Mjacaj deri në këto momente nuk ka pranuar të bashkëpunojë për të treguar porositësin e kësaj ngjarje.