Sot pritet të dalë para Gjykatës së Fierit, 55- vjeçari Çlirim Dogani nga Roskoveci. Ai është vënë nën akzuë të rëndë në lidhje me aktin monstruoz të vrasjes së Anesti Ramës në fshatin Frashër të Patosit.
Dogani, sipas të dhënave paraprake hetimore ka bashkëpunuar me vajzën e viktimës për t‘i marrë jetën Ramës, pikërisht sepse i ati i Emalindës ishte kundër një historie dashurie mes tyre. Mirëpo gjatë marrjes në pyetje, Dogani ka mohuar të ishte jo vetëm në dijeni po as në vendin e ngjarjes.
Ai pritet që ditën e sotme të vërtetojë alibinë që ndodhej shumë larg vendit të ngjarjes në momentin kur është vrarë 56-vjeçari Anesti Rama. Dogani, i cili mësohet se është nga fshati Arapaj, dyshohet se është njohur me vajzën vrasëse të të atit duke qenë shofer i linjës së autobusit nga fshati i vet në drejtim të Fierit, por ende nuk dihet se cili ka qenë roli i tij në krim.
Referuar të dhënave të policisë së Fierit bëhet me dije se ai ka ndihmuar në kryerjen e aktit, por do të jenë prokuroria dhe gjykata që do të vendosin në lidhje me masën e sigurisë ndaj përfshirjes së tij në krimin horror.
Tashmë në pranga gjenden tre persona për vrasjen e Ramës, pikërisht vajza e viktimës, bashkëshortja dhe Dogani. Ka qenë vetë vajza që ka treguar detaje nga momenti fatal kur i ka marrë jetën të atit, por hetuesit e krimit monstruoz nuk kanë pranuar faktin që ajo e ka kryer e vetme aktin e marrjes së jetës së babait të saj.
Pasi kanë nisur hetimet intensive, është hapur telefoni i saj nga ku mendohet se janë shfaqur edhe indiciet për të shkuar pikërisht tek emri i Doganit që më pas është vënë edhe në pranga si bashkëpunëtor në vrasjen e Ramës.