Zbardhen detaje të reja nga vrasja e 41-vjeçarit shqiptar, Altin Arapaj, i cili u gjet i pajetë në një vresht në Rafina, Greqi, më 22 maj. Sipas dëshmisë së bashkëshortes së viktimës, shkaku i konfliktit dyshohet të ketë qenë një mosmarrëveshje për pronësinë e një banese.
Duke folur për mediat greke, ajo tregoi se konflikti mes Arapajt dhe autorit kishte kohë që zgjaste dhe ishte përqendruar rreth një shtëpie luksoze në zonën e Loutsës, e cila ndodhej në pronësi të një amerikani, por që prej vitesh ishte marrë me qira nga një shtetas kanadez.
“Ky burrë e kishte paralajmëruar, i thoshte vazhdimisht ‘largohu sepse shtëpia është e imja, do ta marr unë, je në mes të asgjësë’”, deklaroi ajo.
Sipas saj, pak ditë para ngjarjes kishte pasur një vendim gjyqësor në disfavor të palës ku ishte përfshirë edhe autori i dyshuar. Pas humbjes në gjyq, kanadezi që kishte marrë banesën me qira, i kishte ofruar Arapajt një shumë parash për t’u larguar.
“Kanadezi e telefonoi dhe i tha: ‘Meqenëse duhet të paguaj kompensim, merr një shumë parash dhe m’u largo nga rruga’. Në fund, ata e shlyen shtëpinë së bashku me jetën e burrit tim”, tha gruaja e viktimës me lot në sy.
Autori dhe viktima njiheshin prej kohësh dhe ishin të njohur për autoritetet greke. Dyshohet se takimi i fundit mes tyre kishte si qëllim zgjidhjen e këtij keqkuptimi për banesën, por përfundoi tragjikisht me vrasjen e Arapajt me një plumb në fytyrë.
Hetimet vijojnë për të zbuluar plotësisht motivet dhe personat e përfshirë në këtë ngjarje të rëndë që ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi.