Policia e Durrësit ka bërë të mundur identifikimin e pesë personave të dyshuar për përfshirje në vrasjen e 29-vjeçarit Ermir Dedja, ngjarje e ndodhur më 20 maj në lagjen nr.18 të qytetit.
Në kuadër të hetimeve, janë arrestuar shtetasit Erion Ndoni, 36 vjeç, banues në fshatin Shkallnur, dhe Klodian Berisha, 35 vjeç, banues në Durrës. Të dy dyshohen për kontrabandë të automjeteve që u përdorën në këtë krim, si edhe për një automjet tjetër të sekuestruar, i cili dyshohet se ishte destinuar për përdorim në një ngjarje kriminale tjetër.
Gjithashtu, është shpallur në kërkim shtetasi Xhuljano Dyrmishi, 33 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Kontrabandë me mallra të tjera”. Sipas hetimeve, tre të dyshuarit kanë kontrabanduar dy automjete tip “Seat”, njëri prej të cilëve është shitur dhe më pas është përdorur gjatë vrasjes së Ermir Dedjas.
Në vijim të operacionit, Policia ka sekuestruar një automjet tjetër tip “Seat”, i kontrabanduar dhe i destinuar për përdorim në aktivitete kriminale të tjera.
Ndërkohë, uniformat blu kanë shpallur në kërkim edhe dy persona të tjerë: një 44-vjeçar me iniciale E. N., banues në fshatin Rrashbull, dhe një 46-vjeçar me iniciale M. D., shtetas maroken. Ata dyshohet për “Sigurimin e kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Trafikim të mjeteve motorike”.
Të tre personat e shpallur në kërkim rezultojnë jashtë territorit të Shqipërisë, ndërsa Policia vijon punën intensive për kapjen dhe ekstradimin e tyre.
Njoftimi i policisë:
Veprime të thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të vrasjes së 29-vjeçarit, në lagjen nr.18, Durrës.
Shkon në 5 numri i shtetasve të identifikuar si të përfshirë në vrasjen e 29-vjeçarit.
-Identifikohen dhe vihen në pranga 2 shtetas që kanë kontrabanduar në Shqipëri, automjetin që u përdor nga autorët e vrasjes dhe një automjet tjetër që dyshohet se do të përdorej për një ngjarje tjetër kriminale. Policia gjen dhe sekuestron automjetin tjetër.
-Shpallet në kërkim 1 shtetas tjetër, për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje dhe për kontrabandë të mallrave.
2 ditë pas ngjarjes, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim 2 shtetas të tjerë, për sigurim të kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje.
Në vijim të veprimeve të thelluara të kryera nga grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë së Durrësit, me qëllim zbardhjen e autorësisë dhe rrethanave të vrasjes së shtetasit E. D., 2 javë më parë, në lagjen nr.18, në Durrës, bazuar në provat e siguruara nga hetimi:
-u ndaluan shtetasit E. N., 36 vjeç, banues në fshatin Shkallnur dhe K. B., 35 vjeç, banues në Durres, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”;
-u shpall në kërkim shtetasi Xh. D., 33 vjeç, banues në Durrës, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Kontrabanda me mallra të tjera”.
Nga hetimet rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, kane kontrabanduar në Shqipëri, 2 automjete tip “Seat”, njëri prej të cilëve është shitur dhe më pas është përdorur gjatë vrasjes së shtetasit E. D.
Shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur gjetjen dhe sekuestrimin në cilësinë e provës materiale, të automjetit tjetër tip “Seat”, i cili ishte kontrabanduar me qëllim për t’u përdorur për një ngjarje tjetër kriminale.
Në kuadër të hetimeve, 2 ditë pas ngjarjes, Policia identifikoi dhe shpalli në kërkim shtetasin shqiptar E. N., 44 vjeç, banues në fshatin Rrashbull dhe shtetasin maroken M. D., 46 vjeç, për veprat penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje” dhe “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Të 3 shtetasit e shpallur në kërkim rezultojnë jashtë vendit. Vijon puna në bashkëpunim me partnerët, për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Në bashkëpunim me Prokurorinë po vijojnë veprimet intensive për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje dhe kapjen e autorëve të dyshuar.