Policia e Shtetit njoftoi sot se ka vënë në pranga tre persona, gjatë një aksioni të forcave ‘Shqiponja’ në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik u janë gjetur armë pa leje të cilat i mbanin në brez. Në pranga përfunduan shtetasit Kristo Drolli, Ariel Kingji dhe Shpati Lena.
50-vjeçari Kristo Drolli, banues në lagjen “24 Maji” u arrestua për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri pistoletë.
Ndërsa, 37-vjeçari, Shpati Lena dyshohet të jetë përkrahës i personit në kërkim, pikërisht të 21-vjeçarit Ariel Kingjit, të cilit, gjatë kontrollit fizik, iu gjet në brez, një armë zjarri pistoletë.
Por, ky i fundit, nga hetimet e policisë, rezultoi se ishte një person i shpallur në kërkim për një ngjarje të rëndë të ndodhur rreth tre vite më parë, në lagjen “1 Maji”, të qytetit bregdetar.
Për cfarë akuzohet Ariel Kingji?
Ngjarja për të cilën akuzohet 21-vjeçari, Ariel Kingji është regjistruar në gusht të vitit 2019 në Plazhin e Vjetër në Vlorë, ku mbeti i vrarë më armë zjarri Arben Beqiraj, ndërsa u plagos djali i tij dhe një i afërm tjetër, të cilët ndodheshin në lokalin në pronësi të viktimës në plazh.
Për ketë ngjarje është arrestuar tashmë shtetasi Eduart Xhezo, arrestimi i të cilit është bërë pak kohë pas ngjarjes në tetor të vitit 2019 në qytetin e Durrësit.
Por si lindi konflikti që shkaktoi një viktimë për një xhiro me kalë?
Autori kryesor i ngjarjes, Eduart Xhezo, ka pasur një konflikt me Arben Beqirajn disa orë para ngjarjes. Shkak është bërë kalimi i tij me kalë para biznesit të tij. 49-vjeçari dhe i biri i kanë kërkuar Xhezos që të mos kalojë para lokalit, pasi shqetësonte plazhistët.
Kjo ka sjellë një konflikt fizik të djalit të pronarit të lokalit me personin që po kalëronte. Më pas, Eduart Xhezo, disa orë më pas, ka shkuar për t’u sqaruar, por konflikti është përshkallëzuar më tej, duke çuar në shkrehjen e armës. Mësohet se Xhezo, në momentin që ka qëlluar me kallashnikov në drejtim të Beqirajt, ka qenë i shoqëruar nga tre persona të tjerë.
Ata janë identifikuar si Ariel Kingji, 18 vjeç, Çelik Lena, 20 vjeç, dhe G. Lena, të cilët janë shpallur në kërkim bashkë me 34-vjeçarin Xhezo. Sipas hetuesve, në momentin e të shtënave, Xhezo ka shkuar në lokal bashkë me një prej tre bashkëpunëtorëve të tij, ndërsa dy të tjerët kanë qëndruar në distancë.
Pas sulmit me armë, katër të dyshuarit janë larguar me një automjet në drejtim të Pyllit të Sodës duke i shpëtuar arrestimit nga forcat e Policisë, pavarësisht se në kërkim të tyre u vunë efektivë të Komisariatit të Vlorës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Fierit. Për t’u marrë në pyetje lidhur me ngjarjen, janë shoqëruar rreth 20 persona, të cilët mund të kenë dijeni mbi atë që ka ndodhur.
Njoftimi i plotë i Policisë së Vlorës:
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Waves”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e personave në kërkim. Operacioni i zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja”. Arrestohen në flagrancë tre persona, njëri prej tyre i shpallur në kërkim për vrasje me dashje, të mbetur në tentativë. I kërkuari dhe drejtuesi i mjetit janë kapur në flagrancë, secili me armë zjarri pistoletë me vete. Sekuestrohen 2 armë zjarri pistoletë dhe municion luftarak.
Forca e Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje dhe kapjen e personave në kërkim, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se disa shtetas po lëviznin me armë zjarri në automjet dhe njëri prej tyre ishte në kërkim, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Waves”.
Si rezultat i punës dhe veprimeve të shpejta profesionale, nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në lagjen “Ujë i Ftohtë”, Vlorë, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe ndaluar automjetin e dyshuar, si dhe kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasve:
– K. D., 50 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, pasi gjatë kontrollit iu gjet një armë zjarri pistoletë;
– A. K., 21 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, Vlorë, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjet në brez, një armë zjarri pistoletë. Nga veprimet hetimore rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” kryer në bashkëpunim, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” në lidhje me ngjarjen e ndodhur në datën 04.08.2019, në lagjen “1 Maji”, Vlorë.
– Sh. L., 37 vjeç, banues në lagjen “24 Maji”, i cili dyshohet si përkrahës i personit në kërkim.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.”, njofton Policia e Vlorës në lidhje me këtë aksion.









