Këshilli Republikan për Siguri në Komunikacionin Rrugor, çdo vit në këtë periudhë kohore, realizon fushatë për vozitjen e sigurt të traktorit dhe makinerive bujqësore për shkak të pjesëmarrjes së shtuar të tyre në komunikacion gjatë kësaj periudhe të vitit.
Fushata realizohet në territorin e vendit përmes takimeve të përfaqësuesve të KRSKRR-së, MPB-së dhe Fakultetit të Sigurisë Shkup me shoferët e traktorëve dhe makinerive bujqësore, bisedave parandaluese dhe edukative me ta dhe aktiviteteve të tjera, me qëllim të ndërgjegjësimit për vozitjen e traktorëve dhe makinerive bujqësore teknikisht të rregulluar, të regjistruar dhe të dukshëm për pjesëmarrjen e tyre të përgjegjshme dhe të sigurt në komunikacion.
KRSKRR-ja rikujton se shoferët e traktorëve, motokultivatorëve dhe makinerive të tjera bujqësore janë pjesëmarrës të barabartë në komunikacion dhe se shoferët e mjeteve motorike dhe pjesëmarrësit e tjerë në komunikacion duhet t’i respektojnë dhe t’u kushtojnë vëmendjen e duhur, veçanërisht në këtë periudhë të vitit kur aktivitetet bujqësore zhvillohen në mënyrë më intensive.
Njëkohësisht, vë në dukje edhe domosdoshmërinë që shoferët e traktorëve dhe makinerive bujqësore të vozitin traktorë dhe makineri të tjera pune teknikisht të rregulluar dhe të regjistruar, të shmangin pjesëmarrjen në komunikacion gjatë natës dhe në kushte të pavolitshme të motit (shi, mjegull), si dhe të kushtojnë vëmendje të posaçme ndaj shikueshmërisë më të madhe të tyre në komunikacion.
KRSKRR-ja u bën thirrje shoferëve të traktorëve dhe makinerive bujqësore: Vozitni mjete të regjistruara, teknikisht të rregulluara dhe të shënuara. Jini të dukshëm në komunikacion dhe respektoni rregullat e komunikacionit. Vozitni me përgjegjësi! SIGURIA NË VEND TË PARË!