Ramadan Ramadani
Ka disa thënie që përveç se duhet spjeguar duhet edhe përsëritur në fillim dhe në fund të shkrimeve dhe fjalimeve. Një prej këtyre thënieve monumentale është edhe ajo e filozofit mendimtarit dhe shkrimtarit britanik Chesterton v.1936 që në librin e vet “Çka është duke shkuar keq me botën?” në vitin 1910 ka shkruar: “Shteti modern është tepër i madh për të qenë një gjë njerëzore dhe tepër i vogël për të qenë një gjë hyjnore.”. Kjo thënie në njëfarë mënyre sublimon kritikën e këtij shkrimtari për byrokracinë, natyrën dhe vështirësitë e aparatit shtëtror për të rregulluar efektivisht jetët e njerëzve dhe sqaron se shteti shpesh është një gjë e madhe dhe njerëzve ju mbeten punët e vogla të pakryera mu shkaku i madhësisë së shtetit, por edhe se shteti me krejt madhësinë e vet mbetet i vogël për ti kryer disa punë më të mëdha; siç janë për shembull paqeja në botë, ndryshimet klimatike etj, etj.
Çka ka lidhje tash kjo thënie me tash dhe këtu në Maqedoninë e Veriut në prag të këtyre zgjedhjeve lokale?! Dhe pse duheshka ta përsërisim edhe një herë në fund këtë thënie?! Sepse nëse analizojmë krejt fatin dhe kismetin e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut në këto vite me partitë, politikën, komunat dhe shtetin mund shumë lehtë të sjellim këtë thënie si konstatim: se shqiptarët këtu duke u marrë me çështjet e mëdha legjitimitet, flamur, gjuhë, marrëdhnie etnik e marërdhënie me shtetin, ju kan mbet të pakryera punët e vogla nëpër lagje, fshatra dhe komuna si kanalizim dhe rrugë të shtruara! Në vrullin e politikbërjes shqiptare në Maqedoni në vitet e para të 90 të shekullit të kaluar në lagjen time në Serovë disa përfaqësues politik atëherë të PPD gjatë kanë përqeshur një banor plak i cili u ka thënë se do u jape votën atyre e tërë lagjeja nëse e rregullojnë kanalizimin dhe rrugën që të mos kenë probleme infrastrukturore; ata kanë qenë për çështje të mëdha si kombi, shqiptaria, universiteti e gjuha ama ato kanë qenë zgjedhje lokale dhe prej atëherë shumë vonë është kryer ai problem i thjeshtë infrastrukturor dhe ende në këto zgjedhje ka hapësirë që të kërkohet përmirësim pasi banorët aty në atë rrugë janë shtuar shumëfish! Mandej para dy mandateve të zgjedhjeve lokale qeshnin më një banor që ka shtruar problemin e breshkave në parkun në lagjen Fushë Tophanë të Shkupit.