Tensionohet situata mes institucionit të presidencës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme sa i takon konfliktit lidhur me votën kundë të Shqipërisë në OKB për armët bërthamore.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i është përgjigjur presidentit Nishani, një ditë pasi ky i fundit e quajti gënjeshtar në lidhje me sqarimin e dhënë në komisionin e punëve të jashtme, se për votën në OKB ishte njoftuar edhe Presidenti i Republikës.
Gjatë një takimi me strukturat e partisë në Shkodër, Bushati tha se shkresa që ka presidenti Nishani është një fakt lehtësisht i verifikueshëm, ndërsa është vepruar në përputhje me ligjin.
Bushati u shpreh se për votimin e Shqipërisë në mbledhjen e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në dhjetor 2016, ka njoftuar edhe Presidentin e Republikës.
“Shkresa që ka Presidenti është një fakt lehtësisht i verifikueshëm. Kemi vepruar ne përputhje me ligjin dhe sqarimi ka qenë shterues. Presidenti ka kërkuar informacion shkresor për ketë çështje dhe ministria e Jashtme i është përgjigjur në forme shkresore. Kjo ka ndodhur përpara deklaratës time ditën e djeshme në Komisionin Parlamentar”, – saktësoi Ditmir Bushati.
7 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)