Tensionohet situata mes institucionit të presidencës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme sa i takon konfliktit lidhur me votën kundë të Shqipërisë në OKB për armët bërthamore.
Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati i është përgjigjur presidentit Nishani, një ditë pasi ky i fundit e quajti gënjeshtar në lidhje me sqarimin e dhënë në komisionin e punëve të jashtme, se për votën në OKB ishte njoftuar edhe Presidenti i Republikës.
Gjatë një takimi me strukturat e partisë në Shkodër, Bushati tha se shkresa që ka presidenti Nishani është një fakt lehtësisht i verifikueshëm, ndërsa është vepruar në përputhje me ligjin.
Bushati u shpreh se për votimin e Shqipërisë në mbledhjen e Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në dhjetor 2016, ka njoftuar edhe Presidentin e Republikës.
“Shkresa që ka Presidenti është një fakt lehtësisht i verifikueshëm. Kemi vepruar ne përputhje me ligjin dhe sqarimi ka qenë shterues. Presidenti ka kërkuar informacion shkresor për ketë çështje dhe ministria e Jashtme i është përgjigjur në forme shkresore. Kjo ka ndodhur përpara deklaratës time ditën e djeshme në Komisionin Parlamentar”, – saktësoi Ditmir Bushati.
Por në një reagim të radhës për shtyp, presidenti thotë se ministri i Jashtëm ka disinformuar në mënyrë të përsëritur dhe për këtë ndjen dhe keqardhje.
“Presidenti i Republikës, Sh. T. Z. Bujar Nishani shpreh keqardhjen për disinformimet e përsëritura e të pavërteta të Ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati dhe nëse nuk do të ishte një çështje e rëndësishme e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, aleatin kryesor strategjik të Shqipërisë, si dhe vendet partnere në NATO, nuk do t’i kthente përgjigje disinformimit të radhës së Ministrit’
Disinformimit të djeshëm në Komisionin për Politikën e Jashtme, sot Ministri Bushati i ka shtuar edhe një të ri, duke pretenduar se i është përgjigjur në formë shkresore Presidentit përpara deklaratës së tij të ditës së djeshme në Komisionin Parlamentar”.
“Edhe ky pretendim i Ministrit Bushati nuk është aspak i vërtetë, pasi shkresa ka mbërritur në Presidencë dhe është regjistruar nga autoritetet e Gardës së Republikës, në orën 10:00 të datës 07.02.2017, si dhe pak minuta më vonë nga strukturat e protokollit të Institucionit të Presidentit të Republikës. Këto janë lehtësisht të verifikueshme dhe jo pretendimet disinformuese të Ministrit”, – mbyllet deklarata për mediat.
7 shkurt 2017 (gazeta-Shqip.com)