A ka bazë ligjore që kryeparlamentari Talat Xhaferi ta hedhë poshtë nismën si të parregullt ose edhe për këtë duhej të deklaroheshin komisionet përkatëse parlamentare? Nga VMRO-DPMNE thonë se Xhaferi nuk është gjykatës kushtetues për ta interpretuar Kushtetutën dhe se nisma e tyre ka të bëjë me Ligjin për Ratifikim, e jo me marrëveshjen ndërkombëtare. Iniciativa për referendum është refuzuar për shkak të arsyeve të shpikura dhe të paligjshme, vlerëson nënkryetari i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski.
“Xhaferi privatizon Kuvendin. Pushteti edhe një herë tregoi se ka frikë nga populli dhe prandaj janë të detyruar të shpikin arsye nebuloze për ta hedhur poshtë nismën për referendum. Puna e kryetarit të Kuvendit nuk është ta interpretojë Kushtetutën. Kjo punë i takon Gjykatës Kushtetuese. VMRO-DPMNE-ja nuk ndryshon përmbajtjen e marrëveshjes, por konteston Ligjin me të cilin ratifikohet një marrëveshje dypalëshe dhe shpallet e vlefshme në territorin e Republikës së Maqedonisë me fuqinë e ligjit”, tha Vllado Misajllovski, nënkryetar i VMRO-DPMNE-së.
Reagime për refuzimin e nismës në fjalë, kishte edhe në seancën e Kuvendit nga ana e deputetëve të VMRO-DPMNE-së dhe partisë E Majta. Xhaferi iu përgjigj se Parlamenti punon sipas Kushtetutës dhe Rregullores dhe se ai e ka për detyrë t’i respektojë.
“Ky është Kuvend, e jo Gjykatë që të mund të gjykoni. Nëse vlerësoni se keni të drejtë, atëherë keni një procedurë adekuate, keni organ të veçantë kushtetues i cili është themeluar sipas Kushtetutës dhe i cili ka kompetenca adekuate. Drejtohuni atje dhe atje do t’ju përgjigjen për gjithçka”, tha Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit.
Nisma për referendum është kundër Kushtetutës thonë nga LSDM-ja dhe BDI-ja. Shtojnë se VMRO-DPMNE me qëllim e ka dorëzuar nismën që e njëjta të refuzohet dhe se do të ishte e palejueshme që në kohë krize ekonomike të shpenzohen 8 milionë euro për referendum që do të dështonte
“Marrëveshja për fqinjësi të mirë është marrëveshje ndërkombëtare ndërsa neni 118 nga Kushtetuta parasheh në mënyrë të qartë se marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar, janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe sipas ligjit nuk mund të ndryshohen. Në kohë të krizës më të madhe ekonomike dhe energjetike në prag të dimrit më të vështirë, është tepër e papërgjegjshme dhe e palejueshme kërkesa e Mickoskit që tani të shpenzohen 8 milionë euro, para të qytetarëve, vetëm për interesa të tij personale dhe brenda partiake”, pohoi Martin Kostovski, LSDM.
“Jo, absolutisht nuk mund të përkrahim referendum, atë e kemi thënë edhe më herët. Pra, ne e përkrahim rrugën europiane të shtetit. Nisma e VMRO-DPMNE-së është e drejta e tyre, procedura e tyre, por ne në mënyrë të qartë e përkrahim rrugën europiane të shtetit, e përkrahim marrëveshjen prej 2917 që ne si shtet e lidhëm me fqinjin tonë”, theksoi Fadil Zendeli, BESA.
Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi dje pasdite e hodhi poshtë nismën e VMRO-DPMNE-së për organizim të referendumit, si të parregullt dhe kundër Kushtetutës. Ai tha se nisma nuk është në pajtim me nenin 118 të Kushtetutës sipas të cilit marrëveshjet ndërkombëtare që janë ratifikuar në përputhje me Kushtetutën, janë pjesë e rendit të brendshëm juridik dhe sipas ligjit nuk mund të ndryshohen.