28 March
VMRO-DPMNE-ja shpalosi planin e saj për dalje nga kriza politike në të cilin parashikon marrëveshje mes partive politike që të mos lejojnë më ndërhyrje të jashtme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të brendshme, përfshirë këtu edhe ndërhyrjen e ndërkombëtarëve dhe shteteve fqinje. VMRO-DPMNE-ja kërkon që të qartësohet rëndësia e parimit “fituesi me fituesin” si dhe të theksohet qartë në ligj se kujt i takon posti i kryetarit të Kuvendit. Mes të tjerash VMRO-DPMNE-ja u bën thirrje partive që të përcaktohen nëse prioritet do të mbeten euro-integrimet ose ri-përkufizimi i marrëdhënieve mes etnive, nëse do të përkrahet modeli multi-kulturor ose ai binacional i vendit.
Propozojmë bashkim të brendshëm kundër përzierjes në punët e brendshme të vendit nga ana e politikanëve ose shteteve të huaja të cilat bien ndesh me respektimin e sovranitetit ose bien në kundërshtim me parimin për marrëdhënie të mira ndërfqinjësore. Marrëveshje nëse rëndësia e praktikës politike “fituesi me fituesin” është faktor stabiliteti, nëse duhet të qëndrojë si i tillë ose hidhet njëherë e përgjithmonë poshtë. Nëse hidhet kjo, do të ishte në interes të barazimit të votës së çdo deputeti – deklaroi Antonio Milloshovski nga VMRO DPMNE.
LSDM-ja kundërshtoi ashpër këtë plan-strategji të VMRO-DPMNE-së duke vlerësuar se populli e tha fjalën e vetë dhe e dërgoi Nikolla Gruevskin dhe VMRO DPMNE-në në opozitë.
As Nikolla Gruevski dhe as VMRO DPMNE-ja nuk janë më faktorë në Republikën e Maqedonisë. Qytetarët vendosën. Politikanët si Gruevski dhe udhëheqësia e VMRO DPMNE-së që i krijuan problemet nuk mund të jenë pjesë e zgjidhjes. Për këtë porosisim që VMRO DPMNE-ja të pranojë që është opozitë, të ndalojë së frenuari proceset demokratike. Në Maqedoni do të ketë qeveri reformuese të qytetarëve. pa Nikolla Gruevskin dhe VMRO-DPMNE-në – u përgjigj Petre Shilegov nga LSDM-ja.
Dokumenti të cilit i referohet Milloshovski ende nuk është gati nga VMRO DPMNE-ja, edhe pse vetë lideri i kësaj partie e pati njoftuar prej më shumë se 10 ditësh. Sipas dokumentit, i cili u refuzua që në u hartuar nga partitë shqiptare, pritet të shërbejë si një strategji mbipartiake për daljen nga kriza dhe ruajtjen e karakterit unitar të Maqedonisë.
Fatlume Dervishi

