28 Shkurt
VMRO-DPMNE-ja mohon që paraprakisht t’i ketë ofruar BDI-së një draft ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, të ngjashëm me atë të LSDM-së. Në një reagim të VMRO-DPMNE-së ata vlerësojnë se këto informacione janë për arsyetimin e aktit të turpshëm të LSDM-së që çon drejt ridefinimit të shtetit.
VMRO-DPMNE nuk ka arritur asnjëfarë marrëveshje me BDI-në rreth çështjeve që kanë qenë temë diskutimi në bisedimet për formimin e Qeverisë. Edhe ashtu, pozita e VMRO-DPMNE-së që nga fillimi ka qenë “Qeveri po, por jo me çdo kusht”. Atë që e ka pranuar Zoran Zaev në asnjë segment nuk mund ta përmirësojë jetën e shqiptarëve në Maqedoni, prandaj sjellë rrezik të madh dhe potencial të nxisë jostabilitet të gjatë sepse zemërimi në mesin e njerëzve vlon- thanw nga VMRO-DPNE.
Por funksionarë të BDI-së përgënjeshtrojnë këtë pohim të VMRO-DPMNE-së. Sipas tyre, partia e Gruevskit, nuk ka pasur kundërshtime në kërkesat e tyre për gjuhën por vetëm për reformat në drejtësi, gjegjësisht zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale.
Nuk do të kisha dashur të hyja në detaje sepse do të ishte shumë më korrekte që qytetarëve, ato parti politike t’u sqarojnë sa u takon bisedimeve sepse mendoj se nuk ka pasur asgjë të keqe dhe problematike në atë proces. Çështja e gjuhës mendoj se nuk ishte problem i mosarritjes së marrëveshjes për të negociuar me VMRO-në ashtu siç nuk ishte problem për të arritur marrëveshje dhe për ta tejkaluar edhe me LSDM-në por mendoj se ishin çështje të tjera që kanë të bëjnë me reformat në vend dhe reformat në drejtësi – deklaroi Teuta Arifi, nënkryetare e BDI-së.
Profesori Mersim Maksuti vlerëson se tentimi i Gruevskit për të fshehur të vërtetën e negociatave me BDI-në, është përpjekje e fundit për të shpëtuar pushtetin dhe veten e tij.
Nuk janë aspak të qëndrueshme, aq më tepër kur vetë VMRO, vetë Gruevski ka ofruar një ligj të ngjashëm, gati të njëjtë për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe. Qëllimi i tij nuk është pengimi i gjuhës shqipe, ose federalizimi eventual i Republikës së Maqedonisë por qëllimi është humbja e pushtetit që i ik nga dartë VMRO-DPMNE-së dhe personalisht Nikolla Gruevskit. Ky është manipulim i radhës për të shpëtuar pushtetin e tij të cilin pritet ta humbë së shpejti – tha profesori Mersim Maksuti.
Alsat M një ditë më parë publikoi të dhëna të draft ligjeve për përdorimin e shqipes ku shihet se version i fundit i pranuar nga BDI-ja dhe LSDM-ja, është modifikim dhe plotësim i versionit të ofruar paraprakisht nga VMRO-DPMNE-ja.