Alsat 2019-11-22T15:08:20+01:00
Opozita kërkon nga pushteti të heq dorë nga Akti për Sistematizim të ri brenda Ministrisë së Punëve të Brendshme në prag të formimit të Qeverisë teknike. Sipas opozitës, ky veprim i kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, do t’i rrezikojë zgjedhjet e 12 prillit. VMRO-DPMNE-ja thotë se me sistematizimin e ri, LSDM-ja shkel marrëveshjen e Përzhinos.
Në parim heshtja nënkupton miratim, por heshtja e Spasovskit dhe Zaevit mbi sistematizimin skandaloz dhe punësimet skandaloze para zgjedhjeve nënkupton pranim. Pranojnë se nuk e kanë mbështetjen e qytetarëve, pranojnë se humbin dhe se janë të gatshëm të bëjnë gjithçka me qëllim zvogëlimin e dallimit në zgjedhje. Janë të gatshëm ta manipulojnë marrëveshjen e Përzhinos dhe ta vënë në pikëpyetje sigurinë e zgjedhjeve – tha Orce Gjorgjievski, VMRO-DPMNE.
Nga LSDM-ja duke mos komentuar hollësisht thonë se qytetarët do të vendosin më 12 prill për dallimin mes dy subjekteve nga blloku politik maqedonas. Edhe pas një jave, LSDM-ja dhe Qeveria mbeten pa përgjigje mbi Aktin e sistematizimit të ri në MPB të cilin javën e kaluar e shpalosi ekskluzivisht televizioni Alsat. Me Sistematizimin e ri jo zyrtarisht mësohet se është paraparë formimi i 27 Organeve për Punë të Brendshme në nivel republikan. Në krye të tyre do të emërohen kryeshefa të cilët do të kenë kontrollin e hierarkisë vertikale dhe horizontale ndaj Sektorëve për Punë të Brendshme duke filluar nga policia e uniformuar, policia kriminalistike dhe ajo e qarkullimit rrugor. Sipas Marrëveshjes së Përzhinës, ministri i Brendshëm nga opozita gëzon të drejtën të ndërrojë deri në 15 udhëheqës policorë nga e gjithë struktura hierarkike e MPB-së.
Adrian Kerimi
Loading…




