Në Qendrën e pranimit në Vizbeg të Shkupit do të ndërtohet lagje për personat e pastrehë që kohë më parë kishin jetuar nën Kalanë e Shkupit- thotë Ministrja e Punës dhe Politikës Sociale Milla Carovska duke përgënjeshtruar informacionet se po ndërtohet kamp refugjatësh. Ajo në rrjetin social FB ka bërë thirrje që qytetarët të mos bien pre e këtyre informacioneve të rrejshme.
Në qendrën e pranimit në Vizbeg do të ndërtohet lagje për persona të pastrehë që deri pak kohë jetonin nën Kala, e jo kamp për migrant – ka njoftuar Ministrja për Punë dhe Politikë Sociale Milla Carovska. Ajo ka theksuar se VMRO-DPMNE po përhap lajme të rrejshme se në qendrën e pranimit në Vizbeg do të ndërtohen kampe refugjatësh.
“U bëj thirrje qytetarëve që të mos bien pre e dokumenteve të rrejshme që po shpërndahen në rrjetet sociale. E vërteta është kjo: Në Qendrën e pranimit në Vizbeg do të ndërtohet vendbanim për persona të pastrehë, e jo kamp për migrant. Ky vendim është miratuar qysh para një viti ku Qeveria në mënyrë të përhershme do t’u sigurojë strehë më shumë se 80 personave që kanë jetuar rrugëve. Është e qartë se paniku tek VMRO-DPMNE-ja është shumë e madhe dhe janë të gatshëm që zgjidhjet e këtilla humane ti keqpërdorin. Sërish themi-kampe refugjatësh nuk do të ndërtohen dhe refugjatë nuk do të ketë në vendin tonë” – publikoi Carovska në profilin e saj në FB.
Në Vizbeg do të vendosen familjet e pastreha pas rrënimit të lagjes së improvizuar rome nën Kalanë e Shkupit në Gusht të vitit 2016. Për këtë rast lëndë kishte hapur edhe Avokati i Popullit, kurse Maqedonia mori padi nga Qendra Evropiane për mbrojtje të romëve me seli në Budapest. /Art Channel/