Grupi parlamentar i VMRO-DPMNE-së ka dorëzuar propozim për vazhdimin e afatit për legalizim të objekteve pa leje për të cilat kanë aplikuar në komunat përkatëse, të cilat i kanë ndërtuar para vitit 2011.
Nga VMRO thonë se shumë qytetarë kanë ngelur pa status të rregulluar juridik për shkak pengesave dhe vonesave administrative ndërsa afati aktual është deri më 3 mars 2026. Ky propozim vjen me kërkesë të Bashkësisë së njësive të Vetëqeverisjes lokale.
“Ne këtë nuk do ta lejojmë dhe për këtë shkak me këtë propozim e vazhdojmë afatin për pesë vite të tjera dhe kështu në vend 15 vjet, ligji do të vlejë 20 vjet deri më 3 mars 2031. Mundësojmë siguri juridike për komunat si organe kompetente që ti përfundojnë procedurat e filluara dhe kjo nuk kërkon kërkesa të reja dhe shërben vetëm për qytetarët që kanë dorëzuar dokumentacion dhe me vite presin për fletë pronësi”, tha Bojan Stojanovski – VMRO-DPMNE./ Alsat.mk


