VMRO-DPMNE akuzon mazhorancën se sjell ligje pa u konsultuar me opozitën duke apostrofuar ligjin për përdorimin e gjuhëve.
Vllatko Gjorçev, kordinator i VMRO-DPMNE-së, kërkoi nga Qeveria të tërheq ligjin për përdorimin e gjuhëve pasi i njëjti jep përshtypjen e krijimit të një sistemi paralel në shtet dhe vihet në diskutim unitariteti i të njejtit. Ata kërkojnë formimin e grupeve të punës të përbërë nga ekspertë.
“Kërkojmë që të formohen grupe të punës në përbërje të të cilëve të jenë përfaqësues nga të gjitha grupet parlamentare në Kuvend, ku do të përfshihen edhe ekspertë juridik, përfaqësues nga kabineti i presidenti Ivanov si dhe akademikë, të cilët do të merren me vërtetimin e kushtetutshmërisë së këtij ligji dhe mënjanimin e të gjithë elementëve antikushtetues”, tha Vllatko Gjorçev.
Nga ana tjetër, kryetari i Komisionit parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie mes komuniteteve, Aleksandar Kiracovski, i ftoi deputetët e VMRO DPMNE-së opozitare që të kthehen në Kuvend.
“Ftoj deputetët e VMRO DPMNE-së dhe opozitën që sa më shpejtë të kthehet në Kuvend, t’i tejkalojnë problemet brenda- partiake, dhe interesat shtetërore dhe interesat e qytetarëve t’i vendosin para interesave të ngushtë partiak”, tha Aleksandar Kiracovski, kryetar i Komisionit për sistem politik.
Në komisionin parlamentar për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive sot kaloi leximi i dytë i ligjit për realizimin e sanksioneve, për prokurori publike, për veprimtarinë e prokurorisë publike si dhe ligjet për gjykata dhe procedurë penale. Megjithatë në seancë plenare këto ligje do ta kenë më të vështirë të marrin “ lejen” për më tutje, falë shumicës së ngushtë parlamentare, pasi për miratimin e këtyre ligjeve nevojitet shumicë prej 2/3-ave.
Ndryshe sa i takon ligjit për përdorimin e gjuhëve, i njëjti pritet të kthehet në Kuvend më datë 29 janar.
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi: Evi Shkopi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com