Amendamentet e VMRO-DPMNE-së janë vendim politik për të penguar ligjin edhe pse ato bëhen në formë procedurale. Kështu ka deklaruar në brifingun me gazetarët, kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi. Ai këtë vlerësim e bazon në faktin se gjithsej ligji ka rreth 4000 fjalë, ndërsa për to janë dorëzuar mbi 35 mijë amendamente.
Ndër të tjera, kryeparlamentari Xhaferi jep detaje se vetëm për titullin e Ligjit janë dorëzuar 33 amendamente, ndërsa për nenin 9 të ligjit 222 amendamente. Numri më i madh i amendamenteve është dorëzuar për nenin 22 të Ligjit për Gjuhët, për të cilin VMRO-DPMNE ka dorëzuar 33 mijë e 834 amendamente.
Neni 22 flet për dënimet dhe këtu janë shfrytëzuar shifrat e dënimeve për rritjen e numrit të amendamenteve.
I pyetur nga gazetarët se kur pritet të fillojë diskutimi për amendamentet, kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi tha se atëherë kur shërbimet e Kuvendit do të arrijnë të përkthejnë të gjitha amendamentet, ndërsa informoi se deri në ato momente ishin përkthyer rreth 17 mijë amendamente. Xhaferi nënvizoi se “çfarë do që të bëhet për dalje nga kjo krizë, do të kundërshtohet kushtetutshmëria. Ai tha se dëshiron që kjo situatë të tejkalohet, ndërsa kërkoi nga opozita që të reflektojë.
Talat Xhaferi, kryetar i Kuvendit
“Kuvendi nuk ka kompetencë ta vlerësojë kushtetutshmërinë e ligjit, që tashmë ishte miratuar. Unë për çdo ditë jam në komunikim me opozitën, por edhe me grupet e tjera të deputetëve. Nëse VMRO-DPMNE kanë sens për proceset dhe për shtetin le të mendojnë. Ata thonë se kanë gabuar me shqiptarët dhe pas kongresit të mbajtur do ta përmirësojnë këtë gabim, por nëse vazhdojnë në këtë mënyrë, atëherë kanë zgjedhur rrugën e gabuar. Unë jam i gatshëm që të qëndroj për gjashtë muaj në Kuvend derisa ky ligj të kalojë”.
Nga ana tjetër, deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, në deklaratë për mediat tha se amendamentet që i kanë dorëzuar janë në lidhje me vërejtjet e presidentit Gjorge Ivanov. Ai thotë se partia e tij nuk ka për qëllim që të bllokojë Ligjin për Gjuhët, por se kryetari i Kuvendit patjetër të mundësojë shqyrtimin e të gjitha amendamenteve.
Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE
“Dorëzimi i 35 mijë amendamenteve është me qëllim që ta zgjojë vetëdijen e Qeverisë se, për këto çështje duhet të arrihet konsensus shoqëror. Ata duhet të bisedojnë me profesorë, jurist dhe albanolog, ti dëgjojnë qëndrimet e bashkësive tjera më të vogla. Ekzistojnë 10 mënyra formale që të arrihet deri në zgjidhje. Por forma nuk është me rëndësi, kjo nuk duhet të jetë çështje e vullnetit që të sillet zgjidhje”.
I pyetur se cili është dallimi i këtij ligji për gjuhët, dhe Ligjit që VMRO-DPMNE e ka përgatitur gjatë negociatave me BDI-në për formimin e Qeverisë, deputeti Ilija Dimovski tha se nuk ka qenë pjesë e negociatave dhe nuk e din se çfarë propozimi është hedhur në tavolinë.
TABELË
Ligji ka tetë faqe dhe rreth 4000 fjalë.
Janë dorëzuar 35.569 amendamente.
Vetëm për titullin e Ligjit janë dorëzuar 33 amendamente.
Për nenin 9 të ligjit 222 amendamente.
Për nenin 22 janë dorëzuar 33.834 amendamente.
Neni 22 flet për dënimet dhe këtu janë shfrytëzuar shifrat e dënimeve për rritjen e numrit të amendamenteve.
https://www.youtube.com/watch?v=jG4uj6iCDHI

