7 May 2018 / 15:58
Pas tre dështimeve, më në fund në Komisionin Parlamentar për Transport dhe Lidhje, filloi shqyrtimi i amendamenteve për Ligjin për Mediat. Amendamenti i parë i propozuar nga VMRO-DPMNE-ja kishte të bëj me kompensimin e anëtarëve në Agjencinë e Mediave, për të cilin Ligji parasheh kompensim deri në 4 paga mesatare, ndërsa VMRO kërkonte që pagat të jenë më të vogla. Amendamenti nuk u pranua nga propozuesit e ligjit, nën arsyetimin se pagat e larta do të motivojnë anëtarët e rinj të jenë të pavarur nga partitë politike dhe të motivuar për punë. E pakënaqur me refuzimin, VMRO-DPMNE-ja e përdori trukun e vjetër të replikave dhe kundër replikave, për të zgjatur shqyrtimin e amendamenteve. Madje ata devijuan debatin duke bërë akuza politike ndaj Ministrit të Shoqërisë Informatike Damian Mançevski.
Ky i fundit tha që VMRO-DPMNE-ja po vepron ndryshe nga ajo që kanë debatuar prapa kamerave dhe se po e zgjeron debatin për vetëm një qëllim, bllokimin e Ligjit të ri për media.
Kur kemi biseduar për të rënë dakord në lidhje me ligjin, nuk ka qenë prioritet kjo, por tani dëshironi që të tregoheni para publikut. Ju lutem ndiqeni debatin, arsyeja e vetme e këtyre amendamenteve është që të mos sillet ligji. Të zgjatet debati, sepse e vetmja arsye që kjo po veprojnë kështu, është që të vazhdohet mandati i anëtarëve aktual edhe të agjencisë edhe të këshillit të RTVM-së – tha Damian Mançevski, Ministër i Shoqërisë Informatike.
Por ndryshe mendon kryetarja e Komisionit për Transport dhe Lidhje njëherazi edhe deputet e VMRO-DPMNE-së Liljana Zaturovska. Ajo parashtrimin e amendamenteve dhe debatin e tejzgjatur, e sheh si obligim ndaj qytetarëve.
Mendoj se ju gaboheni zotëri ministër sepse amendamentet që janë ngritur nga opozita janë kërkesa të qytetarëve. Gjithmonë opozita është në mbrojtje të interesit të qytetarëve – u shpreh Liljana Zaturovska, Kryetare e Komisionit për Transport dhe Lidhje (VMRO- DPMNE).
Debat i ashpër gjithashtu u bë mes deputetit të BDI-së Rexhail Ismailit dhe anëtarëve të VMRO-DPMNE-së.
Unë e kam mbrojtur këtë tezë, por e vërteta është se analizat tregojnë se nëse e ulim kriterin e pagesës për anëtarë të shërbimeve mund të ndodhë dhe duke e pasur parasysh profesionalizmin dhe çasjen, unë personalisht për shumë çështje nisem nga vetvetja, në qoftë se kam një pozicion, nuk do ta prishi pozicionin për të njëjtën pagesë – tha Rexhail Ismaili, Deputet i BDI-së.
Për më shumë se dy orë është debatuar vetëm mbi një amendament. Megjithatë shqyrtimi i 75 amendamenteve pritet të zgjasë me ditë, duke e pasur parasysh dinamikën e dobët në të cilën po zhvillohet debati. Dallimet më të theksuara mes opozitës dhe shumicës qëndrojnë në zgjedhjen e re të anëtarëve të këshillit të RTVM-së dhe Agjencisë së Mediave.
Besian Leka


