Mosha e pensionimit të gjykatësve dhe prokurorëve por edhe e të gjithë personave të zgjedhur dhe të emëruar do të mund të vazhdohet me kërkesë të tyre, nga 64 në 67-vjeç. VMRO-DPMNE-ja e propozon ligjin duke e prezantuar si zgjidhje për mungesën e kuadrit në sistemin e drejtësisë. Shtyrja e pensionimit edhe për tre vjet do të mund të bëhet me kërkesë të personit deri te institucioni kompetent.
“Një numër i lartë i njerëzve që janë të pranishëm në sistemin gjyqësor shkojnë në pension. Duke pasur parasysh se në periudhën e kaluar kishim shumë skandale serioze në funksionimin e Akademisë së Gjykatësve dhe Prokurorëve për mënyrën se si u pranuan kandidatë me testime që janë lëndë hetimi, që të mos krijohet boshllëk në funksion kur e shohim se në këtë periudhë ka luftë gjithmonë e më të përforcuar kundër korrupsionit, të lëndëve të hapura dhe të dëshmive që dorëzohen në prokurorinë publike, vlerësojmë se në këtë mënyrë duhet të sigurohet veprim i duhur për të gjitha indikacionet për krim dhe për lëndët që janë hapur në prokurori”, deklaroi Bojan Stojanovski, VMRO-DPMNE.
LSDM-ja thotë se duhet të bëhet e qartë se ndryshimet përfshijnë një kategori më të madhe qytetarësh. Duke u nisur nga besimi i ulët në gjyqësor, ata kërkojnë t’u jepet mundësia kuadrove të reja në vend se të vazhdohet mosha e punës për gjykatësit dhe prokurorët që tashmë janë pjesë e sistemit.
“Qytetarët duhet ta dinë se me këtë zgjidhje ligjore ndryshohet mosha e punës nga 64 në 67-vjeç i të gjithë drejtorëve, funksionarëve, të emëruarve, etj. Mendoj se bëhet një lloj diskriminimi sepse nuk vazhdohet mosha e punës për ekspertë të lartë, teknologëve, inxhinierëve, etj., për të cilët shteti ka nevojë dhe të cilët në moshën 64-vjeçare do të shkojnë ne pension. Prandaj vlerësoj se bëhet fjalë për zgjidhje të pjesshme. Nëse duam të kemi zgjidhje që do t’i rregullojë të gjitha fushat, të bëhet gjithëpërfshirëse dhe jo të jetë e pjesshme”, tha Dimitar Kovaçevski, LSDM.
“Në periudhën e kaluar vazhdimisht bisedohej për gjyqësorin dhe prokurorinë publike dhe se si një pjesë e madhe e gjykatësve kanë punuar sipas rekomandimeve të dikujt tjetër ose se besimi prej 2% është gabim statistik. Ne pikërisht këtyre ua vazhdojmë vitet e punës në vend të gjykatësve dhe prokurorëve e rinj që dalin nga Akademia”, nënvizoi Jovana Trençevska, LSDM.
Ndryshimet e propozuara të ligjit për marrëdhënie pune janë me procedurë të shkurtuar në Kuvend. Ata do të duhet të miratohet edhe në seancë plenare. /Alsat.mk