Gazetare: Andrea Çobanova
Po të ishin plot rezervat e mallrave në vend, Qeveria nuk do lejonte të shtrenjtohet buka, akuzon VMRO-DPMNE-ja, shkruan Alsat.
Sipas tyre, në rezervat e domosdoshme shtetërore nuk ka as ushqim të mjaftueshëm, as derivate të naftës pasi qeveria nuk mori asnjë masë në kohë. Ata i bëjnë thirrje pushtetit të pranojë urgjentisht propozimet e tyre për uljen me 50 për qind të akcizës për karburantet dhe heqjen e TVSH-së për ushqimet bazë.
“Pas gjithë pasigurisë që ndjejnë qytetarët për produktet bazë ushqimore, qeveria duhet të përgjigjet se sa janë të qëndrueshme nafta dhe derivatet e naftës dhe kësaj të mos i përgjigjet me deklarata të para se bëhet fjalë për informacione të klasifikuara, por të përgjigjet konkretisht nëse merren masa dhe nëse rezervat në mallra dhe derivate të naftës janë të qëndrueshme”, tha Marija Miteva – Zëdhënëse e VMRO-DPMNE.
Nga LSDM-ja me reagim – qytetarët të jenë të qetë, sepse rezervat e mallrave dhe rezervat e naftës janë plot.
“Të gjitha lajmet e rreme dhe dezinformatat e VMRO-DPMNE-së, përmes të cilave tentojnë të shqetësojnë opinionin kanë rënë në ujë. Viteve të fundit prodhimi i grurit jo që nuk ka rënë, por është rritur dukshëm në krahasim me kohën e VMRO-DPMNE-së kur nuk ka pasur krizë”, deklaroi Trajan Dimkovski- Komisioni për Bujqësi i LSDM-së.
Ndërkohë, çmimi i naftës dhe i grurit në bursat botërore mbetet i lartë. Javën e kaluar ka pasur rafte bosh në disa nga dyqanet. Mbeti e paqartë nëse kjo ishte për shkak të rritjes së kërkesës apo keqpërdorimeve të mundshme nga disa tregtarë të cilët tërhoqën qëllimisht disa nga produktet dhe më pas i nxorrën sërish, por me çmime më të larta. E njëjta gjë ndodhi edhe në disa pika karburanti, pas së cilës janë bërë kontrolle në terren. Situata për këto dy fenomene tashmë është stabilizuar./Alsat.mk



