Pushteti dhe opozita vazhdojnë me akuza e kundërakuza se kush e ka fajin për incidentet gjatë kremtimit të 28 Nëntorit.
VMRO-DPMNE thotë se incidentet paraqesin skenar të LSDM-së dhe BDI-së, që përmes eskalimin dhe krijimit të tensioneve etnike, sic thonë, të përpiqen ta mbrojnë kapitalin e tyre të fituar përmes krimit.
“Partitë anti-shtetërore LSDM-BDI përmes grupeve të manipuluara të dhunuesve politik shkaktuan sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit përmes aktit të agresionit kundër dinjitetit të popullit maqedonas. LSDM-BDI pas 7 viteve pushtet kanë hyrë thellë në kënetën politike, janë të nervozuar, në panikë dhe të frikësuar për shkak të përballjes me drejtësinë. LSDM-BDI janë të pafuqishëm dhe në agoni për shkak se nuk kanë mbështetje për protesta dhe për këtë shkak po përpiqen të krijojnë tensione ndëretnike”, thonë nga VMRO.
Kanë reaguar edhe nga “Levica”. Nga kjo parti, sic thonë, jo vetëm që kërkojnë përgjegjësi dhe dorëheqje të Ministrit Toshkovski, por rikujtojnë “Platformën Maqedonase”, që sipas tyre ishte kushti themelor për koalicion paszgjedhor me VMRO-DPMNE-në.
“Incidentet e fundit konfirmojnë se përse pushteti që udhëhiqet nga DPMNE nuk pranoi nënshkrimin e ‘Platformës Maqedonase’ nga partitë pro-maqedonase me qëllim të konsensusit kombëtar për të parandaluar shantazhet që vijnë nga partitë e pakicës shqiptare. Pikat e Platformës duhet të jenë linjat minimale të kuqe për të gjithë partitë ku nuk do të ketë lëshime, nëse duam që të mbetet diçka nga Maqedonia”, thonë nga Levica.
“Levica” përmes komunikatës ka rikujtuar pikën e pestë të Platformës Maqedonase ku parashihet ndalimi i valëvitjes në vende publike të flamujve të shteteve tjera, sic thuhet, me qëllim të parandalimit të irredentizmit, etno-tribalizmit dhe nacional-shovinizmit.