VMRO-DPMNE dhe LSDM nuk komentojnë platformën e paralajmëruar nga partitë parlamentare shqiptare në Maqedoni. Burime nga VMRO thonë se për momentin nuk kanë qëndrim rreth kësaj çështjeje, pasi ka shumë elemente të panjohura.
E para, ata nuk i dinë pozitat përfundimtare të platformës së paralajmëruar dhe më pas nuk është e njohur nëse ato qëndrime do të jenë pozicionime fillestare për fillimin e negociatave apo pozicionime të fundit. Nga VMRO thonë se akoma nuk e kanë marrë mandatin që të dalin me qëndrim konkret.
“VMRO-DPMNE e fitoi besimin e qytetarëve dhe fitoi në këto zgjedhje, kështu që është e pritshme të respektohet vullneti i qytetarëve dhe mandati t’i ndahet partisë që fitoi më shumë vota. Pasi ta marrim mandatin do të fillojmë me negociatat dhe do të bëjmë përpjekje maksimale për të formuar qeveri, pasi obligimi jonë është të bëjmë gjithë atë që është në fuqinë tonë për ta realizuar programin për të cilin votuan qytetarët”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.
As në LSDM nuk deshën të komentojnë platformën e paralajmëruar nga partitë shqiptare. Jozyrtarisht thonë se është joserioze të ndërtojnë qëndrim partiak për një situatë të supozuar. Sipas tyre në këtë moment platforma nuk ekziston. Por edhe nëse eventualisht ajo përfundon, sërish nuk do e komentonin para se edhe zyrtarisht ta marrin atë dokument në shqyrtim.
https://www.youtube.com/watch?v=ekncwcOf7mQ