Nga VMRO-DPMNE reagojnë ndaj deklaratave të Gadaf Uzairit dhe Arben Taravarit, duke i akuzuar për manipulim të opinionit dhe mungesë të ideve politike.
“Kur politikanët nuk kanë ide, nuk kanë program dhe nuk kanë çfarë të ofrojnë, e vetmja gjë që u mbetet është të përhapin gënjeshtra dhe konstrukte. Kjo është pikërisht ajo që po bëjnë sot Uzairi dhe Taravari, duke shpresuar se me shtrembërimin e së vërtetës do ta fshehin paaftësinë e tyre politike dhe faktin se partia e tyre mbështetet vetëm në krim, para dhe tenderë”, thuhet në reagim.
Sipas VMRO-DPMNE-së, Uzairi duhet të tregojë guxim dhe të pranojë se lideri i tij, Arben Taravari, në një takim të brendshëm, ka deklaruar publikisht se është në politikë vetëm për përfitime personale dhe se nuk i intereson fakti që qyteti i Gostivarit “po mbytet në mbeturina”.
“Ato janë fjalët e tij, kjo është e vërteta e tij, ky është imazhi i tij politik”, vijon më tej reagimi.
Partia VMRO-DPMNE thekson se kjo klikë politike është e shantazhuar nga BDI-ja, për shkak të marrëveshjeve të dëmshme në të cilat janë përfshirë persona të afërt me BDI-në nga një vend fqinj. “Ata janë përfitues në kurriz të shqiptarëve të ndershëm dhe turp për heronjtë shqiptarë dhe familjet që duan të jetojnë dhe punojnë ndershëm në vendin e tyre, Maqedoni.”
VMRO-DPMNE i bën thirrje Taravarit t’u sqarojë votuesve të vet për vilën në lagjen Taftalixhe, për marrëveshjet rreth parkimeve, si dhe për disa afera të tjera që – siç thuhet në reagim – për momentin nuk do të përmenden, por që janë pjesë e “historive të korridoreve” për neurologun i cili, sipas VMRO-së, njësoj si një koleg i tij neurokirurg, është marionetë e një familjeje nga Strumica dhe i dhënë pas hedonizmit dhe luksit.
“Esenca është e qartë: Politika e Taravarit dhe bashkëpunëtorëve të tij nuk është për qytetarët, as për interesat e shqiptarëve apo të Maqedonisë, por vetëm për përfitime personale. Prandaj edhe i ndërrojnë partitë si këmisha, gjithmonë duke kërkuar një mundësi të re për interes vetjak”, përfundon reagimi i VMRO-DPMNE-së.