Shteti dhe qytetarët çdo ditë që kalon janë gjithnjë e më të varfër. Indeksi i shpenzimeve për jetesë në vitin 2018 në krahasim me vitin 2017 është rritur për 1.5 për qind. Derisa shpenzimet rriten, rrogat stagnojnë, thuhet në komunikimin me shkrim të partisë opozitare maqedonase, VMRO-DPMNE, duke komentuar zhvillimet ekonomike të Qeverisë, njofton Koha.mk
“Sipas të dhënave të ESH-së, indeksi i çmimeve me pakicë në vitin 2018 në krahasim me vitin 2017 është rritur për 2.7 për qind. Kjo nënkupton se qytetarët me çdo blerje në dyqane, pompa të benzinës, barnatore apo ndonjë firmë tjetër me tregti me pakicë në mesatare kanë paguar më shumë nga viti 2017. Në kontinutet rritet numri i qytetarëve që jetojnë në pragun e varfërisë e cila arrin në 500 mijë qytetarë”, thuhet në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
Në komunikatë mëtej thuhet se në vend të jetës për të gjithë, erdhi jetë për pushtetin.
“Në vend se paratë te qytetarët, kemi para te pushteti. Shteti vetëm po stagnon, ekonomia fundoset, ndërsa njerëzit kanë gjithnjë e më pak para. LSDM duhet të largohet sa më shpejtë që shteti të fillojë të ecë përpara, me LSDM-në në pushtet na pret varfëri dhe kolaps ekonomik. Të zezat nuk guxojnë të jenë përditshmëri e jonë. Ato patjetër të mposhten. Maqedonia meriton të ecë përpara”, thonë nga VMRO-DPMNE-ja.