5 Shkurt 2019 / 14:59
VMRO-DPMNE-ja zyrtarizon emrat e kandidatëve për president. Nga 10 kandidatët e paraqitur, komisioni i ka kthyer si negative dy kandidatura. Në garë mbeten 8 kandidatë ku në mesin e tyre dallojnë kandidaturat e profesoreshës Gordana Siljanovska dhe deputetit Vllatko Gjorçev. Partia e Hristijan Mickoskit hedh poshtë zërat se ky subjekti favorizon dikë nga kandidatët e paraqitur.
Ne do ta mbështesim atë kandidat i cili do të fitojë në kongres. I bëj apel të gjithë kandidatëve që në këtë periudhë ta shfaqin vizionin dhe programin e tyre, t’i përvetësojnë zemrat e qytetarëve. Nga aktivitetet e tyre dhe fitorja në kongres, do të dalë kandidati i cili na bashkon dhe qytetarët, udhëheqësia dhe anëtarët do të mbështesin atë kandidat”. – tha Vllado Misajllovski, Nënkryetar i VMRO-DPMNE-së
Kandidatët e VMRO-DPMNE-së për president
Vllatko Gjorçev, Deputet
Gordana Siljanovska, Profesoreshë
Nikita Shekutovski, Profesor
Gjorgji Manaskov, Ish kryetar i Odës Ekonomike për Energjetikë
Vasko Kostov, Farmacist
Ilija Dimovski, Profesor në pension
Filip Petrovski, Ish drejtor i Arkivit
Sasho Kutleshovski, Profesor
Në LSDM vazhdojnë anketat e brendshme. Gara më e ashpër zhvillohet mes Radmilla Shekerinskës, Oliver Spasovskit, Stevo Pendarovskit dhe Nikolla Dimitrov. Rezultatet nga anektat nuk do të bëhen të ditura derisa partia nuk vendos me cilin kandidat do të garojë. Jo zyrtarisht më 1 mars pritet të mësohet emri i garuesit socialdemokrat. Komiteti Ekzekutiv ende nuk e ka caktuar mbledhjen në të cilën do të merret vendimi për zgjedhjet e parakohshme parlamentare.
Ideja është që secili që vlerëson se mund të ballafaqohet me këtë sfidë, t’i jepet shansi. Për këto arsye, LSDM-ja nuk do të shpejtojë, por këtë proces do ta verifikojë dhe zyrtarizojë në muajin mars. Mendimet e qytetarëve në mënyrë intenzive po shqyrtohen dhe po merren përgjigjet mbi këto çështje”. – u shpreh Betian Kitev, Deputet i LSDM-së
Partia në pushtet po zvarritë çështjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare dhe Qeverisë teknike si kërkesa të partive opozitare. Jo zyrtarisht, burime të Alsat bëjnë të ditur se në LSDM mbizotëron ideja kundër zgjedhjeve parlamentare, ndërsa pas presidencialeve përgaditet riformatim thelbësor qeveritar. LSDM-ja synon ndryshimin e dhjetra drejtorëve dhe udhëheqësve nëpër agjenci dhe inspektorate të cilat bien në kuadër të pushtetit qendror, por pa përfshirë ndërrim ministrash apo shkëmbime resorësh. Nga ana tjetër, partitë shqiptare mbesin në qëndrimet e deklaruara sa i përket zgjedhjeve parlamentare. Aleanca për Shqiptarët dhe Lëvizja Besa e Bilall Kasamit janë duke shqyrtuar emrat e kandidatëve. Besa e Afrim Gashit është duke diskutuar brenda subjektit, ndërsa PDSH-ja do ta mbështes kandidatin e pushtetit. BDI-ja do të garojë e vetme me kandidatin e saj.
Adrian Kerimi
Loading…


