Zgjidhja e pranueshme e ndërsjelltë për emrin duhet ta respektojë identitetin tonë nacional. Nuk mund të licitohet me identitetin e qytetarëve dhe emrin kushtetues të shtetit. Unë nuk jam as optimist, as pesimist, por realisht me përvojë, porositi dje presidenti Gjorge Ivanov në fjalimin tradicional vjetor në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë duke folur për çështjen rreth dallimit me fqinjin tonë jugor.
Ai në fjalim u përqendrua edhe në parimet e profesionalizmit, përgjegjësisë dhe meritokratisë për të cilat theksoi se duhet të jetë shenjë kryesore në diplomaci.
Lidhur me Ligjin për gjuhët tha se ai nuk paraqet kanosje për gjuhën maqedonase, por që paraqet kanosje për unitetin e shtetit. Sipas tij, anëtarësimi në NATO dhe negociatat inkuadruese me BE-në janë mënyra e vetme që Maqedonia të kthehet në normale. Komandanti suprem theksoi se angazhohet për rritje të buxhetit të Armatës në dy për qind, me ç’rast do të përmirësohet standardi jetësor i pjesëtarëve të Armatës dhe do të zbatohet modernizimi i saj. Presidenti Ivanov para deputetëve porositi se zgjidhjet e propozuara ligjore për ndjekje të komunikimeve nuk e heqin mundësinë për keqpërdorim dhe punë të pavetëdijshme dhe se vatra e çdo krize politike është locuar në Drejtorinë për Siguri dhe Kundërzbulim dhe sektori i saj për mbështetje teknike.
Ai kërkoi përgjegjësi nga ata të cilët shkaktojnë dëme duke gjeneruar lajme të rrejshme në media, në internet dhe në rrjetet sociale për shkak se, sipas tij, lajmet e rrejshme janë bazë për tensione dhe konflikt.
Në vend të përndjekjes politike, hakmarrjes dhe revanshizmit, presidenti Ivanov kërkoi pajtim. “Duhet të kujdesemi që drejtësinë të mos e kthejmë në revanshizëm politik dhe urrejtje personale, për shkak se urrejtja çon drejt në urrejtjeje të re”, porositi ai duke aluduar në të paraburgosurit për ngjarjet e 27 prillit në Kuvendin e RM-së. Presidenti në fjalim kërkoi zbatim të masave urgjente dhe të ashpra për mbrojtje të mjedisit jetësor dhe shëndetit të njerëzve, ndërsa u përqendrua edhe në problemin me dhunën ndaj grave, me ç’rast porositi se derisa kryhet dhunë ndaj gjinisë më të prekshme, shoqëri të drejtë nuk do të mund të ketë. Pas fjalimit të Ivanovit u prononcuan partitë midis të cilave LSDM-ja dhe BDI-ja të cilët e kritikuan fjalimin e presidentit, ndërsa për VMRO-DPMNE-në ai ka theksuar pikëpamje personale për temat aktuale në vitin e kaluar. Me reagim u paraqit edhe Qeveria e RM-së, e cila ndër të tjera ka thënë se Ivanovi, kërkon përçarje, e jo bashkim.