Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE po vazhdon investimet në sektorin e shëndetësisë, me fokus në përmirësimin e kushteve në institucionet shëndetësore, pajisjen me teknologji moderne dhe rritjen e cilësisë së shërbimeve për qytetarët, njoftoi partia në pushtet.
Sipas VMRO-DPMNE-së, aktualisht janë duke u realizuar disa projekte kapitale, ndër të cilat ndërtimi i Spitaleve Klinike në Shtip dhe Tetovë, zgjerimi i Qendrës Shëndetësore në Kërçovë, si dhe ndërtimi i një konvikti studentor dhe Fakultetit të Shkencave Mjekësore.
Nga partia thonë se për disa prej këtyre projekteve tashmë ka interes nga financues potencialë, ndërsa paralelisht po shqyrtohen mundësitë për ndërtimin e një Qendre të re Klinike në Shkup.
Një nga lokacionet që po shqyrtohet për kompleksin e ri shëndetësor, sipas VMRO-DPMNE-së, është hapësira pranë qendrës sportive “Boris Trajkovski”. Projekti parashikon ndërtimin e një kompleksi modern mjekësor, i cili do të lidhej me Spitalin Klinik “8 Shtatori” përmes një kalimi nëntokësor të ngrohur. Në kompleks, sipas planit të prezantuar nga partia, do të përfshihen edhe qendra PET dhe poliklinika “Bukuresht”.
Krahas projekteve të reja, VMRO-DPMNE thekson se po realizohen edhe rikonstruksione në institucionet ekzistuese shëndetësore.
Sipas partisë, në Spitalin “8 Shtatori” janë rindërtuar blloku operativ, njësia e kujdesit intensiv, patologjia, laboratori dhe çatia, ndërsa është rinovuar edhe reparti i traumatologjisë në Spitalin e Qytetit të Vjetër.
Në Klinikën Gjinekologjike dhe Obstetrike (KGJO), sipas njoftimit, janë investuar 110 milionë denarë për rikonstruksion dhe furnizim me pajisje të reja.
VMRO-DPMNE bën të ditur gjithashtu se në Qendrën Klinike “Nënë Tereza” janë rinovuar gjashtë salla operacioni, ndërsa katër salla të tjera pritet të vihen në funksion.
Sipas partisë në pushtet, deri më tani janë rikonstruktuar më shumë se dhjetë objekte dhe klinika shëndetësore, ndërsa janë blerë edhe pajisje moderne mjekësore në vlerë prej disa milionë eurosh.
The post VMRO-DPMNE: Miliona euro investime në spitale, pajisje dhe projekte të reja shëndetësore appeared first on TV-SHENJA.


