Partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të Arben Taravarit, duke e akuzuar këtë të fundit për hipokrizi politike dhe për afrim të qëllimshëm me BDI-në dhe liderin e saj, Ali Ahmeti.
Në një reagim me tone të ashpra, VMRO-DPMNE thotë se Taravari, dikur bashkëpunëtor dhe lavdërues i Hristijan Mickoskit, sot ka kthyer kursin dhe po e sulmon pa bazë atë, nën presion të, siç thuhet, “disa dosjeve” dhe “shantazheve politike”.
“Arben Taravari edhe një herë e tregoi fytyrën e tij të vërtetë – një njeri që deri vonë e lavdëronte publikisht Hristijan Mickoskin dhe bashkëpunonte me të, sot e sulmon pa bazë, vetëm sepse është i shantazhuar dhe detyrohet të këndojë sipas melodisë së Ali Ahmetit,” thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE-së.
Partia e drejtuar nga Mickoski e akuzon Taravarin për mungesë integriteti politik dhe thotë se ai tashmë është “ulur në prehërin e Ahmetit” dhe po vepron si “zëdhënës” i BDI-së.
“Fajtor nuk është Ahmeti, por vetë Taravari, i cili nga një njeri me kredibilitet u shndërrua në simbol të poshtërimit politik,” theksohet më tej në reagimin e VMRO-DPMNE-së.
Duke përmbyllur deklaratën, partia paralajmëron se “populli i sheh të gjitha” dhe lëshon një mesazh të fortë politik: “Në fund, secili do ta marrë atë që meriton.”
Ky zhvillim vjen në një kohë tensionesh të shtuara ndërmjet partive politike në Maqedoninë e Veriut, veçanërisht pas braktisjes së Qeverisë nga ASH dhe Taravari.(INA)