VMRO-DPMNE-ja do të zhbllokojë zgjedhjen e kryeparlamentarit të ri vetëm në rast se merr garancën që ai do të shpallë menjëherë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Nga foltorja e Kuvendit, deputetët e partisë së Gruevskit kërkuan që Deklarata e partive shqiptare të vlerësohet në zgjedhje nga qytetarët. Debati me replika dhe kundër replika në Kuvend edhe sot u zhvillua më shumë mes vetë deputetëve të VMRO-DPMNE-së të cilët shfrytëzonin të drejtën e fjalimeve procedurale për të plotësuar njëri-tjetrin.
Na jepni garanci që sot do ta shpërndajmë Kuvendin, sot do të zgjedhim kryetar. Platformën që përfaqësoni ju e ka pranuar LSDM-ja por le të dalë edhe në zgjedhje dhe nëse merr mbështetje, VMRO-DPMNE-ja nuk do të bëjë asnjë vërejtje për atë që diskutohet – deklaroi Ilija Dimovski, VMRO-DPMNE.
LSDM-ja kërkon zhbllokimin e procesit, gjegjësisht zgjedhjen e kreut të ri të Kuvendit dhe vazhdimin e proceseve demokratike, duke thënë që zgjedhjet e reja nuk garantojnë që presidenti Gjorge Ivanov nuk do të bllokojë përsëri formimin e Qeverisë.
Sa u takon zgjedhjeve të reja, ata janë totalisht të mundura por që të shpallen duhet të zgjedhim kryetar të Kuvendit. Ju i bllokoni zgjedhjet. Kërkuat shumicë në komision, kërkuar kryetar të Komisionit dhe tani kërkoni kryetar të Kuvendit. Doni të qeverisni duke pasur pakicën. Nëse doni zgjedhje, të zgjedhim kryetar, do të diskutojmë dhe ndoshta do të kemi edhe zgjedhje, nuk i dihet – tha Damjan Mançevski, LSDM.
Të ju them sinqerisht se nuk jam i sigurt që “fikusit” nuk do t’i rritet klorofili dhe si pasojë nuk do ta japë mandatin as pas atyre zgjedhjeve – tha Petre Shilegov, LSDM.
Seanca u ndërpre disa herë brenda ditës edhe për koordinim mes përfaqësuesve të grupeve parlamentare por nuk u arrit marrëveshje për reduktimin e paraqitjeve për replika dhe kundër-replika dhe as për shkurtimin e kohës së fjalimeve. Tërheqja nga kërkesat e deputetëve për të marrë fjalën kërkoi edhe kryesuesi i seancës Trajko Veljanovski, por debati vazhdoi me ritmin e njëjtë.
Fatlume Dervishi