Nëse Zoran Zaev është i bindur se Platforma Shqiptare është e pranueshme për qytetarët dhe do t’i sjell dobi Maqedonisë, të pranojë zgjedhje të reja, ku qytetarëve do t’ua ofroj pikërisht këtë Platformë. Kështu kanë thënë sot nga VMRO-DPMNE në komunikatën e tyre, në të cilën, kanë ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e tyre, se do të japin përkrahje Zoran Zaevit për të formuar Qeveri, në rast se ky, do të heq dorë nga realizimi i Platformës Shqiptare.
“Në zgjedhjet e dhjetorit qytetarët nuk votuan për Platformën nga Tirana. Nëse Zaev nuk është i sigurt në rejtingun e tij dhe përkrahjen, vlerësojmë se LSDM duhet të refuzoj platformën dhe të heq dorë nga realizimi i të gjithë elementeve nga ajo që qojnë drejt federalizmit dhe formimit të shtetit binacional. Në këtë rast VMRO-DPMNE do të ja jep të gjitha votat e saj LSDM-së, për të formuar Qeveri, çfarë të dojë, por pa kërcënime dhe pranim të platformave që shkaktojnë pasoja dhe do ta shndërrojnë Maqedoninë nga multietnike në binacionale”, qëndron në komunikatën e VMRO-DPMNE-së.
I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i LSDM-së, të cilët kanë thënë se 700 mijë qytetarë kanë votuar për ndryshime në Maqedoni, për jetë, drejtësi dhe për një Qeveri reformatore.
“Proceset demokratike kanë filluar dhe vullneti shumicë i qytetarëve e shndërruar në 67 deputetë duhet që sa më shpejtë të realizohet me formim të Qeverisë së re reformatore dhe institucioneve të pavarura. Kërkesat për zgjedhje të reja janë tentim që të vazhdohet dhe thellohet kriza politike. Nëse tani nuk respektohet vullneti i shumicës së qytetarëve, as më pas nuk do të respektohet. Është e qartë përcaktimi i qytetarëve të Maqedonisë”, kanë reaguar nga LSDM.
Mes tjerash, në komunikatën e LSDM-së thuhet se qytetarët e vendit kanë treguar qartë se duan integrim të vendit dhe jo izolimin e saj.
Enis Murtezi /SHENJA/
VMRO-DPMNE kërkon zgjedhje të reja, LSDM… by tvshenjaofficial