Më shumë se një e treta e qytetarëve mendojnë se gjërat në Maqedoni po shkojnë në drejtimin e duhur, që është për tre përqind më shumë krahasuar me rezultatin e të njëjtës pyetje në sondazhin e muajit prill të këtij viti. Këtë e tregon sondazhi i MKD.mk, si pjesë e hulumtimeve të rregullta që redaksia, në bashkëpunim me agjencinë Market Vision, i realizon. Sondazhi është zhvilluar nga 20 qershori deri më 4 korrik. Sa i përket rejtingut të partive politike dhe liderëve të tyre, edhe ky sondazh konfirmon se VMRO-DPMNE dhe lideri i saj Hristijan Mickoski vazhdojnë të jenë bindshëm në epërsi.
Në pyetjen “Në cilin drejtim mendoni se po shkojnë punët në Maqedoni”, 34.3% e të anketuarve janë përgjigjur se drejtimi është i duhur, ndërsa 40.5% mendojnë se drejtimi është i gabuar. Të dhënat tregojnë se një numër gjithnjë e më i madh i të anketuarve besojnë se vendi po lëviz në drejtimin e duhur.
Ndër liderët e partive politike, Hristijan Mickoski gëzon më së shumti besim nga qytetarët.
Nga blloku politik shqiptar, me përqindjen më të lartë të besimit vazhdon të jetë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti (6%). Venko Filipçe si kryetar i LSDM-së renditet i treti me 4.7% besim. Kryetarët e partive nga koalicioni VLEN, Izet Mexhiti dhe Bilall Kasami, kanë rreth 2% secili, ndërsa Afrim Gashi ka 1%. Kryetarët e ZNAM dhe të E Majta (Levica), Maksim Dimitrievski dhe Dimitar Apasiev, janë të barabartë me nga 3%.
Sa i përket partive politike, ngjashëm si me liderët, përparësia e VMRO-DPMNE ndaj partive opozitare është bindëse. Madje 23.8% e të anketuarve janë deklaruar se në zgjedhjet e ardhshme do të votojnë për VMRO-DPMNE.
Në mesin e partive shqiptare në Maqedoni, opozitarja BDI ka një epërsi të vogël përballë rezultatit të përgjithshëm të koalicionit qeveritar VLEN.
Më shumë se gjysma e të anketuarve që kanë ndarë se për cilën parti do të votojnë në zgjedhjet e ardhshme, kanë zgjedhur VMRO-DPMNE. Nëse krahasohen rezultatet e votuesve të përcaktuar me sondazhet e kaluara, para zgjedhjeve lokale, VMRO-DPMNE, LSDM dhe ZNAM kanë një rritje, ndërsa rënie të lehtë ka te E Majta (Levica) dhe BDI. Rënia e VLEN lidhet me largimin e Aleancës për Shqiptarët të Arben Taravarit nga koalicioni.
Anketimi është zhvilluar nga data 20 qershor deri më 4 korrik 2025, duke përdorur metodën CATI – anketim telefonik me ndihmën e kompjuterit, në një mostër prej 1.200 të anketuarish. Mostra është përfaqësuese në nivel të Maqedonisë sipas: rajonit, gjinisë, moshës dhe përkatësisë etnike, sipas të dhënave për popullsinë rezidente nga regjistrimi i vitit 2021.