Partia maqedonase në pushtet VMRO-DPMNE, ka reaguar ndaj deklaratës së ish ministrit të Ekonomisë nga radhët e BDI-së, Kreshnik Bekteshi. Brane Petrushevski nga VMRO thotë se derisa BDI-ja ishte pjesë e qeverisë, pranuan të shfuqizojnë balancuesin, tani kërkojnë vetëm arsye për destabilizimin. Ai tha BDI-ja po kërkon vetëm arsye për destabilizim sepse frikësohet se do të përballen me përgjegjësi zyrtarët e tyre që siç tha ai, e kanë vjedhur shtetin për 20 vjet. “BDI-së nuk i beson më askush. Dhe Komisioni Evropian vuri në dukje se balancuesi po keqpërdoret dhe se ai duhet të shfuqizohet”. Atëherë BDI heshti, për të vjedhur, tha më tej Petrushevski.
“BDI si qeveri në vitin 2023 ka marrë pjesë në hartimin e Strategjisë së Reformës së Administratës 2023 – 2030 në të cilën vërehet se balancuesi ka keqpërdorime të shumta dhe duhet shfuqizuar. BDI-ja pranoi heqjen e balancuesit. BDI-ja po kërkon vetëm arsye për destabilizimin sepse frikësohet se do të përballen me përgjegjësi zyrtarët e tyre që e vodhën shtetin për 20 vjet”, ka deklaruar Brane Petrusheski, deputet i VMRO-DPMNE-së. /SHENJA/