Nga BESA në përgjigjen e saj për “Post.mk” as e konfirmuan e as e demantuan pretendimin për bashkëpunim të mundshëm me partinë e Gruevskit. Përkundër kësaj, nga VMRO-DPMNE-ja janë decid se përveç atij zyrtar, nuk kanë asnjë koalicion tjetër
Partia e Bilall Kasamit ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit dhe liderit të LSDM-së, Zoran Zaev, i cili tha se BESA ka një marrëveshje të fshehtë me VMRO-DPMNE-në për bashkëpunim në zgjedhjet lokale për Tetovën, Çairin dhe Shkupin. Por, BESA më shumë akuza drejtoi në adresë të BDI-së, sesa të LSDM-së. Nga BESA në përgjigjen e saj për “Post.mk” as e konfirmuan e as e demantuan pretendimin për bashkëpunim të mundshëm me partinë e Nikolla Gruevskit.
Përkundër kësaj, nga VMRO-DPMNE-ja janë decid se përveç atij zyrtar, nuk kanë asnjë koalicion tjetër. Zaev nga Tetova porositi se BESËS i kanë ofruar të jetë pjesë e koalicionit qeveritar dhe për këtë arsye nuk ka pse të zemërohet, lidhur me, siç tha Zaev, “bashkëpunimin natyror mes LSDM-së dhe BDI-së”.
“Do të doja që ata të shpjegojnë si e kanë bërë koalicionin me VMRO-DPMNE-në. VMRO-DPMNE-ja t’i përkrahë në Çair dhe Tetovë, ndërsa ata ta përkrahin VMRO-në në Shkup. Pra, duhet të japin një përgjigje çka është ajo që po ndodh atje midis tyre me parimet e tyre. Ne jemi të ndershëm, transparentë, të hapur dhe paraqitemi bashkë. Ata duhet të kenë guxim. Le të tregohen para qytetarëve dhe kjo do të ishte një situatë e pastër për të gjithë”, tha Zaev.
Zëdhënësi i BESËS, Faton Fazliu, për POST.mk tha se misioni i Zaevit është të riciklojë politikanë të korruptuar (duke aluduar në bashkëpunimin me partinë e Ahmetit).
“Ne e kuptojmë misionin e z.Zaev për t’i ‘ricikluar’ politikanët e korruptuar, të cilët deri dje i shpallte si bashkëpunëtorë të krimit. Por, të gjithë duhet të jenë të kujdesshëm kur i drejtohen Lëvizjes BESA, sepse ne jemi Lëvizje e cila i shërben vullnetit të shqiptarëve për një jetë më të mirë dhe kurrë nuk do të jemi si ajo parti e cila u shërben partive maqedonase, që ndonjëherë i shërben LSDM-së, ndërsa dikur edhe VMRO-DPMNE-së, por gjithmonë në llogari të interesave shqiptare. Më 15 tetor, shqiptarët do t’ua japin përgjigjen e merituar të gjithë mashtruesve”, deklaroi Fazliu.
Zaevin nuk e kanë kursyer edhe nga VMRO-DPMNE-ja.
“Zaev është në panik, sepse sheh se shqiptarët filluan të reagojnë në gënjeshtrat e tij, njëjtë siç edhe maqedonasit e kanë ‘lexuar’ më parë. Prandaj, e përdor taktikën e tij të vjetër, që një gënjeshtër të mbulojë me një tjetër. Zoran Zaev e di që i humb zgjedhjet dhe për këtë arsye gjithnjë e më shumë po gënjen pa turp. Aktualisht, VMRO-DPMNE-ja nuk ka asnjë koalicion tjetër, përveç atij zyrtar. VMRO-DPMNE-ja konsideron në votat e të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike. Jemi të bindur se ata do ta njohin ‘Epokën e re’ prej së cilës të gjithë do të përfitojnë”, u shprehën nga partia e Gruevskit dhe shtuar se qytetarët dinë se VMRO-DPMNE-ja do të realizojë gjithçka që ka premtuar.