VMRO-DPMNE dhe BDI vazhdojnë që të heshtin në lidhje me fillimin e bisedimeve për formimin e Qeverisë pasi Nikolla Gruevski, mori mandatin për formimin e Qeverisë nga presidenti Gjorge Ivanov. Edhe pse javën e kaluar nga VMRO-DPMNE njoftuan se këtë javë do të fillojnë negociatat me BDI-në, edhe gjatë ditës së sotme gjithçka mbetet në heshtje.
Në bisedë me përfaqësuesit e VMRO-DPMNE-së, thonë se ende nuk ka asgjë konkrete për njoftuar opinionin. Nga partia e Gruevskit nënvizojnë se ajo që mund të thonë është se komiteti ekzekutiv i partisë e ka autorizuar kryetarin e saj që të udhëheq negociatat me BDI-në, ndërsa ende nuk ka asgjë konkrete që mund të flitet për opinionin, nëse negociatat kanë filluar në mes përfaqësuesve të dy partive dhe nëse ka pasur takim mes dy kryetarëve.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e BDI-së janë të pakapshëm për të kontaktuar dhe ende nuk deklarojnë asgjë në lidhje me fillimin e negociatave me VMRO-DPMNE-në.
Deri në këto momente, partitë zyrtarisht nuk japin asnjë informatë për përbërjen e grupeve të cilat do t’i zhvillojnë bisedimet, por jozyrtarisht mësohet se brenda BDI-së ka fërkime të mëdha në këtë temë. Strukturat e vjetra të partisë të cilët kanë zhvilluar edhe negociatat në të kaluarën janë në rivalitet të madh përballë funksionarëve të rinj qeveritarë të kësaj partie. Por, nga VMRO-DPMNE jo zyrtarisht pritet që negociatat t’i zhvillojnë funksionarët më të lartë të partisë, të njëjtit që kanë qenë edhe në përbërjet e kaluara.
Pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 dhjetorit, më 9 janar, kryetari i VMRO-DPMNE-së mori mandatin për formimin e Qeverisë, ndërsa ka afat që atë ta formojë deri më 29 janar.