Pika e rendit të ditës për shkarkimin e kryeprokurorit Marko Zvrlevski nuk po arrin të dikutohet. Fillimisht seanca e dakorduar për 3 korrik për shkarkim u anulua për sot, ndërsa sot kur erdhi dita për debat dhe votim të propozimit, opozita vazhdon të prolongojë pikat e tjera të rendit të ditës me fjalime procedurale të vazhdueshme vetëm që të mos arrihet në diskutimin mbi shkarkimin e Zvrlevskit. Fillimisht pika e shkarkimit ishte vendosur si e 30-ta në rendin e ditës së seancës plenare, po më pas u ngjit lart si pika e 5-të. Por, as kjo manovër nuk ishte e mjaftueshme që të fillohet me procedurën e shkarkimit. Teksa pritet të nisë debati, VMRO DPMNE-ja opozitare doli me kërkesë që ata të propozojnë prokurorin e ri dhe në të ardhmen, emërimi dhe shkarkimi i prokurorit të bëhet me dy të tretën e votave të deputetëve, në mënyrë që të shmanget ndërrimi i shpeshtë i prokurorit. Ilija Dimovski, deputet i VMRO DPMNE-së, ka bërë një propozim
“Për shkak të kontekstit politik por edhe për shkak të numrave të ngushta në Kuvend edhe në relacion VMRO-LSDM edhe në relacion parti shqiptare në pushtet dhe opozitë. Kryeprokurori të zgjidhet nga opozita. Me çdo ndryshim të pushtetit ndryshohet edhe kryeprokurori. Ndërkohë që vetë qëllimi i vendosjes së kryeprokurorit me mandat prej 6 vitesh, ka qëllimin që tu mbijetojë koncepteve politike”
Por, Tomisllav Tuntev nga LSDM-ja thonë se kjo është një dyfytyrësi pasi VMRO DPMNE-ja si Qeveri ka pasur 10 vjet kohë për të propozuar ligje të tilla.
“Ne tani ne flasim për një propozim të opozitës e cila kishte kohë 10 vjet në pozitë për të propozuar një gjë të tillë ku opozita do të mund të propozojë kryepokurorin. Dhe në vend të kësaj, ne sot kemi në rend dite pikën për shkarkimin e kryeprokurorit. Kjo është një dyfytyrësi e skajshme. Arrogancë e paparë”
Derisa zgjati debati fillestar, Marko Zvërlevski nuk ishte i pranishëm në sallën e Kuvendit. Por, ai u vërejt duke dalë nga objekti i Kuvendit pasi që u dha pauza e dytë më e gjatë. Ai ka të drejtë të marrë pjesë në seancën e shkarkimit dhe mund të japë edhe arsye përse kundërshton shkarkimin e tij. Kryeministri Zoran Zaev iu kundërpërgjigj kërkesës së Dimovskit në të njëjtën mënyrë sikurse deputeti i tij Tuntev duke e cilësuar kërkesën si dyfytyrësi dhe e nxjerrë nga konteksti pasi që ai tha se propozimi ka qenë pas dy vitesh nga formimi i Qeverisë, opozita të mund të propozojë kryeprokurorin e ri, por Dimovski u shpreh skeptik se pas dy vitesh kjo Qeveri do të ekzistojë pasi siç tha, nuk ka kapacitet politik dhe as numra për të vazhuar me punën dhe përmbushjen e premtimeve.
Ferikan Iljazi Arifi /SHENJA/

