Bisedimet mes VMRO DPMNE-së dhe BDI-së për formimin e Qeverisë kanë nisur sot.
Megjithatë partitë nuk ndajnë informacione për takimin i cili mbahet larg syve të opinionit. Po ashtu nuk bëhet e ditur nëse bisedimet zhvillohen mes liderëve apo përfaqësuesve të tjerë partiak.
Sipas praktikës, negociatat e këtij niveli janë zhvilluar mes vetë liderëve. Përderisa Gruevski ka marrë autorizimin e komitetit ekzekutiv të partisë së tij për të kryesuar vetë negociatat, nga partia e Ahmetit akoma nuk bëjnë të ditur nëse një vendim i tillë është marrë edhe nga BDI.
“Sot, Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka realizuar takim me Kryetarin e VMRO DPMNEsë, Nikola Gruevski, ku është biseduar për dy çështje të cilat përfshijnë analizën e rezultateve të zgjedhjeve të mbajtura më 11 dhjetor të cilat u vlerësuan si të lira, fer dhe demokratike, si dhe kanë analizuar situatën aktuale politike.
Dy liderët këmbyen mendime rreth situatës paszgjedhore si dhe për sfidat e ardhshme në këtë drejtim, thuhet në njoftim nga kabineti i Kryetarit të BDI-së.