VMRO-DPMNE-ja vlerëson se ndryshimet e kritikuara në Kodin Penal nga ana e Departamentit Amerikan të Shtetit janë ato për të cilat partia e Hristijan Mickoskit kishte alarmuar me muaj, se pushteti po përgatit amnisti për krimet e bëra. Sipas opozitës maqedonase, kjo shmangie nga drejtësia nuk do të zgjas shumë.
“LSDM-ja dhe BDI-se ose thënë ndryshe BDI-ja dhe LSDM-ja jashtë çdo procedure dhe pa logjikë miratuan amnisti për vete dhe krimet e shumta të bëra tashmë për sa vite janë në pushtet. Këtë e bëjnë si frikë nga zgjedhjet dhe ajo që do të pason pas zgjedhjeve. Por një gjë është e sigurt, përgjegjësi do të ketë për të gjithë”, tha Naum Stoillkovski, Zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.
LSDM-ja hedh poshtë akuzat se ndryshimet në Kodin Penal janë amnisti me qëllim rekrutimin e deputetëve nga opozita dhe plotësimin e shumicës së nevojshme për ndryshimet kushtetuese.
“Nëse ishte ndonjë pazarllëk, që nuk ishte, atëherë ndoshta e gjithë procedura do të ishte zhvilluar në një mënyrë tjetër. Ju e shihni se ka dalje publike nga opozita, nga qeveria, kështu që nëse shikoni koalicionin e qeverisë, ka mendime që nuk janë saktësisht të njëjta, duke pasur parasysh pikëpamjen e ndryshme nga ideologjike ose provinence tjetër të anëtarëve të koalicionit, por të gjithë pajtohen se shteti duhet të harmonizojë legjislacionin me BE-në”, thonë nga LSDM.
Veçmas Departamentit Amerikan të Shtetit, ndryshimet e fundit në Kodin Penal dhe keqpërdorimin e flamurit të BE-së në të e kritikoi edhe përfaqësia diplomatike e BE-së në Shkup nga ku theksuan se tashmë për disatën herë flamuri i BE-së mund të vendoset në propozim-ligje vetëm në rastet kur dispozitat e propozuara kanë për qëllim harmonizimin e legjislacionit vendas me atë të BE-së./ Alsat