Gjykatësit Ivan Xholev dhe Lidija Nedellkova paralajmëruan se do të dorëzojnë padi në Gjykatën Administrative. Do të ankohen për vendimin e Këshillit Gjyqësor i cili nuk i pranoi vërejtjet e tyre për vlerësimin e jashtëzakonshëm. Ata thonë se vërejtjet e tyre kanë qenë të argumentuara me fakte se kur janë vlerësuar nuk janë marrë parasysh të gjithë faktorët. Gjykatësi Ivan Xholev sot për Alsat M tha se ai madje është i befasuar që Këshilli Gjyqësor nuk i ka pranuar vërejtjet e tij.
Këshilli Gjyqësor më informoi se vërejtjet e mia për vlerësimin e jashtëzakonshëm janë të pabaza. Unë theksova se gjatë vlerësimit është bërë gabim matematikor. Do të dorëzoj padi në Gjykatën Administrative – deklaroi Gjykatësi Ivan Xholev.
Edhe gjykatësja Lidija Nedellkova për Alsat M konfirmoi se ka marrë përgjigje nga Këshilli Gjyqësor se i është refuzuar ankesa. Asnjëra nga vërejtjet e saj për mënyrën e vlerësimit nuk është pranuar. Këshilli nuk i ka marrë parasysh as punimet shkencore të cilat Nedellkova i ka publikuar në revista që janë me impakt faktor.
Nuk ka tjetër zgjidhje juridike. Mbetet të dorëzohet padi në Gjykatën Administrative për mënyrën se si jam vlerësuar – tha Lidija Nedellkova, gjykatëse në Gjykatën Supreme.
Nedellkova dhe Xholev janë në garë për postin e kryetarit të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Penale. Për herë të parë Këshilli Gjyqësor bëri vlerësim të jashtëzakonshëm për gjykatësit që pretendojnë t’i marrin këto poste. Një pjesë e tyre reaguan dhe këtë e cilësuan si veprim jo- kushtetues me qëllim që t’u ndihmohet gjykatësve të caktuar t’i përmirësojnë notat e dobëta. Kryetari i Këshillit Gjyqësor, Zoran Karaxhovski refuzoi të tregojë se cilëve gjykatës u janë pranuar ankesat dhe kujt i janë përmirësuar notat. Ai gjithashtu nuk saktësoi se kur do të emërohen kryetarët e dy gjykatave./Alsat-m
https://www.youtube.com/watch?v=m9Hov3te7G0