Kjo qasje, jo vetëm ekonomike, por edhe politike, mendoj se nëse kultivohet dhe zhvillohet në skenën publike, do të ndërtojë barriera të forta kundër gjahut të palodhshëm nacionalist të “armiqve”, që rrëmbejnë diçka nga dikush, qofshin ato autostrada, hidrocentrale, resurse natyrore ose kulturore.
Shkruar nga: Fatmir BYTYQI
“Rruga vazhdon më tej
Poshtë derës ku filloi.
Tani shumë përpara Rruga shkoi,
Dhe unë duhet ta ndjek, nëse mundem,
Për të qëndruar në të me këmbë të etur,
Derisa bashkohet në një rrugë të madhe
Aty ku kryqëzohen shumë shtigje dhe pista vrapimi.
Dhe ku pastaj? Nuk mund ta them” (Xh.R.R. Tolkin, Shoqëria e Unazave)
Çështja e vlerave në politikë nuk është vetëm çështje zgjedhjeje mes dy e më shumë mundësive, por është edhe çështje përgjegjësie, e cila shkon përtej interesave personale apo grupore.
Kjo nënkupton edhe pranimin e pritshmërive, besimeve dhe standardeve etike të shoqërisë, por edhe ndryshimin e tyre, si motive bazë të veprimtarisë politike.
Jo detyrimisht politika duhet pranuar dhe legjitimuar si një luftë e zhveshur për pushtet, për të kënaqur dëshirën për kapje të institucioneve, për të instrumentalizuar pushtetin për kënaqje të interesave të ngushta, të cilat për nga natyra e tyre janë në konflikt ose në kundërshtim me interesat e gjithë komunitetit.
Për nga vlera apo parimi, vendimet politikisht të ngjyrosura na diskriminojnë, bëjnë favorizim të padrejtë dhe shpërblejnë pa meritë.
Rrjedhimisht, uniteti dhe mirëkuptimit në shoqëri do të arrihen vetëm përmes kësaj qasjeje politike, qoftë në fushën e ekonomisë, kulturës, arsimit apo çdo sfere tjetër shoqërore.
Pozicionet e ndërtuara me parim të vlerës, sado që janë dekurajuese për pjesëmarrës të caktuar të jetës politike në vendin tone, apo edhe për vëzhguesit e saj, gjithsesi se përmbajnë një pretendim universal motivues dhe të fortë, i cili ajo vërshon nga një sferë shoqërore në tjetrën.
ZBATIMI UNIVERSAL
Nëse dikush do ta heshtë apo do ta thotë me zë të lartë, nëse do të ulë kokën apo do ta shfaq me vendosmëri, duke e ekspozuar para publikut, është çështje integriteti personal dhe vullneti për të pranuar përgjegjësinë që ka ndaj qytetarëve.
Kur vlera pranohet si bazë për zgjidhjen e problemeve, kur ajo ekspozohet, atëherë rezultatet e vendimeve mund të shihen nga një perspektivë më e gjerë, sepse ato do të reflektohen brenda kornizës së vlerave politike, në të cilën qytetarët do të përparojnë ekonomikisht, por dhe nga aspekti kulturor, diversiteti do ti zhvillojë edhe më shumë.
Kur flasim për rezultate, në parim, mbizotëron mënyra e konkretizimit të tepërt të tyre, ato mbahen fort të kufizuara në sektorin në të cilin janë arritur. Megjithatë, kjo qasje nuk njeh një potencial tjetër përfitimesh, të cilat kalojnë lehtësisht nga pjesa në tërësinë, nga një sferë në të gjithë shoqërinë.
Në konferencën e javës së kaluar për infrastrukturën rrugore, e cila u mbajt në Ohër, në prani të përfaqësuesve të sektorit të ndërtimtarisë në vend, një nga mesazhet e mia ishte se “ndërtimtaria nuk është vetëm tulla, beton dhe çelik, por një sektor që krijon mundësi të mëdha ekonomike”.
Ky mesazh për përmbajtjen e aktiviteteve ndërtimore, pra për rezultatet e tyre, i nxjerr dhe shpërndan në të gjithë ekonominë, por nuk i shteron pasi nuk i arrin kufijtë e rëndësisë që ka.
Ajo ngërthen në vete një dimension të vlefshëm politik, i cili u jep rezultateve një zbatueshmëri universale.
Kjo qasje, jo vetëm ekonomike, por edhe politike, mendoj se nëse kultivohet dhe zhvillohet në skenën publike, do të ndërtojë barriera të forta kundër gjahut të palodhshëm nacionalist të “armiqve”, që rrëmbejnë diçka nga dikush, qofshin ato autostrada, hidrocentrale, resurse natyrore ose kulturore.
Bëhet fjalë për futjen e një perspektive ose njohjeje dhe theksimin e saj, që rezultatet e një një zgjidhjeje të caktuar të një problemi apo vendimi të caktuar që do të nxirret nga segmenti i tyre ku janë marrë, do të vë në spikamë shpërndarjen e tyre në sfera tjera të jetës shoqërore, jo vetëm përmes numrave por edhe për nga vlera.
UNITET PËR DIVERSITETIN
Ndërtimi i një seksioni rrugor sjell jo vetëm përfitime të drejtpërdrejta ekonomike, të shprehura përmes vendeve të punës, zhvillimit të biznesit, por ka edhe dimensione të tjera joekonomike.
Nëse ka vullnet politik, rruga mund të njihet më shumë se një fenomen fizik, pra si një mundësi reale për të përmirësuar lidhjet, për të lehtësuar shkëmbimet kulturore dhe për të kultivuar diversitetin.
Kur kalojnë nëpër rajone të ndryshme etno-kulturore, rrugët janë më shumë se një lidhje fizike e dy vendeve të ndara në hapësirë, ato gjithashtu simbolizojnë unitetin e diversitetit, krijojnë mundësi për njerëzit me origjinë, besime fetare, tradita dhe kultura të ndryshme për të komunikuar, për t’u shoqëruar, pra për ta pasuruar diversitetin e shoqërisë sonë me përvoja dhe perspektiva të reja, të cilat mund të zbulohen përmes ndërtimit të rrugëve të reja.
Rrugët e vendit tonë bashkojnë diversitetin, promovojnë tolerancën dhe pasurojnë mozaikun tonë kulturor.
Kujt i pengon kjo?
Nuk bëhet fjalë për një fantazi, ky është realitet, I cili duhet të njihet si I tillë dhe të theksohet politikisht.
Ndryshimi i perspektivave, çlirimi nga zgjedha e së kaluarës mund të çlirojë energji të re politike në marrjen e vendimeve dhe zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
Kjo qasje inkurajon përshtatshmërinë, duke siguruar që politikat janë mjaft fleksibile për t’iu përgjigjur, jo çështjeve historike, por sfidave të një bote, që për momentin po ndryshon.
MENGENET E “ÇELIKTA”
Një perspektivë e orientuar jo drejt gjahut pas “armiqve”, por drejt së ardhmes, nxit gjithëpërfshirjen, pasi merr në konsideratë nevojat dhe aspiratat e brezave të rinj, duke krijuar kështu motivimin për të marrë pjesë aktive në formësimin e shoqërisë.
Kujt i pengojnë të rinjtë?
Duke refuzuar kufizimet e paragjykimeve historike dhe duke adoptuar një të menduar që fokusohet në të ardhmen, vendimet politike bëhen katalizatorë për ndryshime pozitive në shoqëri.
Le të ndryshojmë perspektivat e ndërtimtarisë, të zhvendosim pamjen nga tulla, betoni dhe çeliku në të ardhmen prosperuese.
Duke folur për nevojat e fuqisë punëtore, nëse fokusohemi në nevojat e ndërtimtarisë në pesë, dhjetë apo njëzet vitet e ardhëshme, atëherë pyetja që shtrohet është se “Çfarë lloji të profilit të fuqisë punëtore do t’i duhet kësaj dege të industries”?.
Përgjigjja e kësaj pyetjeje kërkon braktisjen e shikimit të ngushtë, e cila nën mengenet e “çelikta” të së shkuarës bashkë me presionin e peshës së “tullave” fokusohet tek e tashmja.
Prandaj Strategjia Kombëtare për Zhvillim, e cila filloi të hartohej dy vjet më parë me iniciativën time, vendoset si mjet për arritjen e synimeve më të larta shoqërore, jo vetëm të zhvillimit ekonomik.
Vendosja e synimeve dhe vizioneve kryesore se si duam të duket vendi pas 20 vitesh, e gjithë kjo e vendosur në një kuadër vlerash me një gjithëpërfshirje, strategji të theksuar, do të shpalosë një sërë mundësish dhe përfitimesh për shoqërinë, të cilat do të tejkalojnë të pastra rezultatet ekonomike.
Nëpërmjet këtyre dy shembujve mund të tregohet se veprimi politik me bazë vlerash hap perspektiva të reja në perceptimet e rezultateve të arritura apo vetë proceset e krijimit dhe udhëheqjes së politikave.
Perspektivat në të cilat shpalosen një sërë mundësish përpara shoqërisë dhe që forcojnë komunitetin./Fokus/
(Autori është nënkryetar i LSDM-së)