Në një konferencë për shtyp, përfaqësuesi i VLEN-it, Resmi Ejupi, theksoi se pas një viti në qeverisje, rezultatet konkrete të punës së kësaj force politike tashmë po ndjehen gjerësisht nga qytetarët në gjithë vendin.
VLEN rikonfirmoi angazhimin e saj të pakompromis për përmirësimin e jetës së përditshme në çdo cep të vendit, duke theksuar se aktualisht janë duke u realizuar 43 projekte madhore infrastrukturore në 33 komuna, me një vlerë totale mbi 227 milionë denarë. Projektet përfshijnë ndërtimin e rrjeteve të ujësjellësve, kanalizimeve dhe menaxhimin e ujërave, me qëllim përmirësimin e kushteve të jetesës dhe mbrojtjen e mjedisit.
Ejupi theksoi se ky plan ambicioz investimesh bazohet në tre shtylla kryesore: ujë i pastër, kanalizim modern dhe mjedis i mbrojtur – elemente që do të përmirësojnë cilësinë e jetës për qindra mijëra qytetarë nga Kërçova, Sveti Nikolla, Ohri, Struga, Tetova, Haraçina, Studeniçani, Çairi, Radovishi, Gradsko e shumë komuna të tjera.
Me krenari të veçantë u nënvizua nisja e projektit për ndërtimin e kanalizimit fekal në fshatin Xhepçisht, një investim prej 30 milionë denarësh, i firmosur në Ministrinë e Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, në prani të ministrit Izet Mexhiti dhe përfaqësuesve lokalë.
“Kjo nuk është thjesht një dosje teknike apo një tubacion,” u shpreh Ejupi, “por një hap drejt dinjitetit urban, shëndetit publik, mbrojtjes së mjedisit dhe zhvillimit rural të qëndrueshëm.”
Ai përmbylli fjalën e tij duke theksuar se VLEN është një forcë politike që nuk shet iluzione dhe nuk bën kompromise me premtimet, por punon çdo ditë me vizion, profesionalizëm dhe përgjegjësi, duke vendosur qytetarin në qendër të çdo vendimmarrjeje.
“Falë ministrit Izet Mexhiti dhe ekipit të tij, Ministria e Ambientit është kthyer në një instrument kyç të transformimit pozitiv në vend”, tha Ejupi.
“VLEN për vendin, VLEN për qytetarin, VLEN për të ardhmen!”, përfundoi ai.