Në përmbushje të njërit prej zotimeve më të rëndësishme që e dhamë para qytetarëve, sot para jush paraqesim rezultatet konkrete në luftën tonë kundër industrisë kriminale të lojërave të fatit. Do të bllokohen edhe 173 faqe interneti të cilat ofronin në mënyrë të paligjshme lojëra fati. Dhe bashkë me 53 faqet e bllokuara një muaj më parë ky numër shkon në 226. Brenda vetëm një viti, kemi arritur ta ulim me 40% veprimtarinë e lojërave të fatit në vend, një hap i madh që tregon vendosmërinë tonë për të mos bërë kompromis me askënd.
Këto nuk janë vetëm statistika, janë jetë të shpëtuara, familje të mbrojtura, dhe një hap përpara drejt një shoqërie më të shëndoshë. Aty ku më parë ishin kazino pranë shkollave, pranë lagjeve të banuara, pranë jetëve të fëmijëve tanë, sot po vendosim rregull, ligj dhe dinjitet.
U bëjmë apel të gjithë qytetarëve, sidomos përdoruesve të mëparshëm të këtyre platformave ilegale, që sa më shpejt të tërheqin mjetet e tyre të depozituara dhe të mos bien pre e e-mailave manipulues që i nxisin të vazhdojnë të luajnë në këto faqe ilegale dhe të pasigurta.
BDI mjaft ka luajtur me fatin e shqiptarëve, ne po ia japim fund asaj loje të ndyrë. Për vite me radhë, strukturat e BDI-së kanë toleruar, ushqyer dhe mbrojtur industrinë e kazinove, duke e kthyer në një mjet për pasurim të paligjshëm dhe për kontroll të njerëzve të dëshpëruar. Ata e kthyen varfërinë në biznes dhe luajtën bixhoz me jetën e shqiptarëve.
Ne, si VLEN, jemi zotuar që të çrrënjosim këtë sistem kriminal, dhe po e bëjmë. Nuk po flasim më për premtime, por për veprime konkrete. Nuk po luftojmë me fjalë, por me masa të qarta, ligje të ashpra dhe zbatim real. VLEN nuk është pjesë e sistemit të vjetër, VLEN është garancia që ndryshimi po ndodh. Ne do të vazhdojmë me vendosmëri, derisa çdo kazino, çdo bastore ilegale dhe çdo rrjet i lojërave të fatit të mbyllet përfundimisht. Kjo është një betejë për të ardhmen për fëmijët tanë, për rininë tonë dhe për shoqërinë që e meritojmë.
Kazinoja nuk është zhvillim, është shkatërrim. Kazinoja nuk është progres, është plagë. Ne jemi këtu për t’i mbyllur, jo për t’i mbrojtur. Sigurojmë qytetarët se lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe lojërave të fatit nuk do të ndalet. Po ua këpusim krahët oktapodëve që për shumë kohë kanë pasur privilegjin të jenë mbi ligjin.
VLEN është ndryshe. VLEN është me qytetarët. VLEN është për të ardhmen. Krimi nuk do të ketë strehë, dhe loja me jetën e qytetarëve ka marrë fund.