Nga koalicioni VLEN thonë se ligji për përfaqësim të drejtë ka marrë vulën evropiane dhe se së shpejti do të jetë në Kuvend.
“VLEN po e mbyll njëherë e përgjithmonë një nga kapitujt më të mëdhenj të mashtrimit politik ndaj shqiptarëve: çështjen e përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Ligji i ri për përfaqësim të drejtë dhe adekuat është dëshmia më e qartë se ajo që për dy dekada u përdor si sllogan, alibi dhe vegël shantazhi politik, sot po shndërrohet në standard ligjor, të matshëm dhe të zbatueshëm.
Për herë të parë, përfaqësimi i drejtë nuk mbetet peng i vullnetit politik të qeverive, i pazareve partiake apo i manipulimeve zgjedhore, por rregullohet me ligj të qartë, të detyrueshëm dhe të mbikëqyrshëm.
Me këtë ligj, VLEN e mbyll hallkën kyçe të MO-së. Faktet janë të pamohueshme: për të njëjtin ligj, mendim pozitiv ka dhënë edhe Komisioni i Venecias, autoriteti më i lartë evropian për çështje kushtetuese dhe juridike. Kjo e rrëzon përfundimisht propagandën e BDI-së, e cila për vite fliste për përfaqësim, por kurrë nuk pati guximin, vullnetin dhe ndershmërinë politike ta rregullojë atë me ligj”, thonë nga VLEN.


