Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzo interpretimin e regjistrimit të popullsisë nga viti 2021, është prononcuar VLEN, e cila thotë se ky vendim është fitore e së drejtës dhe të diasporës shqiptare.
Sipas VLEN, qeverisja e kaluar BDI-LSDM ka kryer një nga veprimet më të dëmshme dhe fyese për diasporën shqiptare përmes mënyrës se si u realizua regjistrimi i fundit i popullsisë. Ata theksojnë se ishte një proces i manipuluar, ku mërgata shqiptare u trajtua si qytetare e dorës së dytë.
“Qeverisja e kaluar, përmes Entit të Statistikave dhe në bashkërendim me strukturat politike të BDI-së, krijoi kategori të dyfishta ‘rezidente’ dhe ‘jorezidente’, duke përjashtuar mërgimtarët nga pesha reale politike dhe demografike që ata përfaqësojnë,” thuhet në reagimin e VLEN.
Sipas tyre, ky ishte një akt i qëllimshëm politik për të zvogëluar rolin e shqiptarëve në jetën institucionale të vendit, i bërë për interesa të ngushta partiake.
VLEN kritikon edhe qëndrimin aktual të përfaqësuesve të BDI-së, të cilët, sipas tyre, përpiqen të arsyetojnë një padrejtësi të hapur ndaj mërgatës, duke përdorur “argumente të stërholluara por të zbrazëta”.
“Dëmi është bërë, por ne do ta korrigjojmë kudo ku është e mundur,” thekson VLEN, duke e cilësuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese si një sinjal të qartë se shteti nuk mund të sillet me arrogancë ndaj qytetarëve të vet, pavarësisht se ku jetojnë.
VLEN premton angazhim të plotë për të garantuar përfaqësimin dhe përfshirjen e plotë të diasporës shqiptare në jetën politike dhe institucionale të vendit, duke e konsideruar këtë si një prioritet të padiskutueshëm në programin e tyre politik.