Koalicioni VLEN ditëve në vijim do të dalë me listat e kandidatëve për kryetarë komunash dhe të këshilltarëve komunal. Kreu i LD-së Izet Mexhiti, tha se VLEN do të ketë kandidatë edhe për Shkupin.
“Do të kemi kandidat për Qytetin e Shkupit, do të shohim se kush do të jetë si për Çairin, si për Shkupin dhe të gjitha komunat tjera. Deri më tani VLEN është përcaktuar të t’i jep përkrahje kandidatit të pavarur Mendi Qyra në Strugë, ndërsa për të gjitha komunat tjera jemi në fund të analizave dhe të bisedimeve. Mendoj se ditëve në vijim ose javës së ardhshme do t’i publikojmë të gjitha emrat”, tha Izet Mexhiti nga VLEN.
Ndërkaq, nga Bashkimi Demokratik për Integrim vlerësojnë se zgjedhjet e ardhshme lokale nuk janë thjesht një garë për qeverisjen komunale, por sipas tyre, ato janë një referendum politik për të ardhmen strategjike të vendit.
“Sot, më shumë se kurrë, është e qartë se beteja për komunat është betejë për shtetin. Marrëdhëniet ndëretnike janë dëmtuar rëndë, është rikthyer majorizimi, është shfuqizuar përfaqësimi, janë shkelur të drejtat kolektive të shqiptarëve dhe është thelluar diskriminimi në institucionet shtetërore. Kjo situatë nuk është vetëm një kthim prapa, por një kërcënim serioz për rendin kushtetues, bashkëjetesën ndërmjet komuniteteve dhe vlerave evropiane”, theksojnë nga BDI.
Zgjedhjet lokale do të mbahen në tetor, ndërsa shpallja e tyre pritet të bëhet nga fillimi i gushtit. Tani më parafushata elektorale ka filluar me rigrupime të subjekteve politike dhe kandidatëve përkatës. Nga BDI veç se kanë publikuar disa emra ku spikat kandidimi për Komunën e Çairit, ish-kandidatit për president Bujar Osmani. Ndërsa rreshtimi i ASH-së së Taravarit në Frontin Evropian i hapi rrugë kandidimit në 4 komuna, ndërsa ASH-ja e Selës do të kandidojë në tre komuna tjera.