“Gjendemi para një momenti historik. Pas më shumë se dy dekadash vonesë, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat më në fund po bëhet ligj. Jo më fjalë që i merr era, as premtime sa për t’i kaluar zgjedhjet, por ligj.Përfaqësimi i drejtë dhe adekuat është parim kushtetues që buron nga Marrëveshja e Ohrit, nga pika 4.2 e saj. Prandaj ky nuk është një ligj i zakonshëm, por një hap historik përpara drejt zbatimit dhe avancimit të Marrëveshjes së Ohrit.
Ky ligj është dashur të miratohej para më shumë se dy dekadave. Por nuk u bë. Ata që sot bërtasin, e kishin besimin e shqiptarëve dhe pushtetin për ta bërë këtë ligj. Në çdo zgjedhje premtonin, në çdo mandat arsyetoheshin. I kishin të gjitha, por një gjë nuk e kishin, vullnetin”, theksoi Daut Memishi nga VLEN.
Sipas tij, madje, po këta dolën para opinionit dhe thanë se Marrëveshja e Ohrit ka përfunduar, se gjithçka është realizuar.
“Nëse gjithçka paska qenë e kryer, ku mbeti Ligji për përfaqësim të drejtë dhe adekuat, një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit? Marrëveshja e Ohrit nuk avancohet me fjalime përvjetorësh e deklarata të bukura para kamerave. Avancohet kur parimet e saj kthehen në ligj. Këtë po e bën VLEN. Me këtë ligj, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat bëhet obligim ligjor për të gjitha institucionet. Jo më me improvizime e arnime, jo më “si t’i teket dikujt”, por ligj, me metodologji, të dhëna dhe përgjegjësi institucionale. Për 25 vite nuk e prekën këtë ligj me dorë. VLEN po e bën për 25 muaj. Ata ende krekosen me poste e funksione, por ne po dëshmojmë se për shqiptarët më shumë vlen një ligj që i mbron, sesa një post për fotografi e mburrje politike”, theksoi Memishi.(INA)


