Ata gjithashtu thonë se janë të bindur se ky nuk është rast i izoluar, por maja e ajsbergut e një sistemi të kalbur, i cili për vite me radhë ka mbrojtur të fortët, ndërsa ka shtypur qytetarët e zakonshëm.
“Ajo që e bën situatën edhe më alarmante është fakti se Gjoko Ristov nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Përkundrazi. Ai, së bashku me gjyqtarin Enver Bexheti tashmë i shpallur non grata, kanë qenë pjesë edhe e vendimeve gjyqësore që i hapën rrugën e lirisë Sasho Mijallkovit, simbolit të shtetit të kapur, i cili sot shëtit i lirë me Ferrari në Monaco”.
“Kujtojmë se Enver Bexheti u sanksionua si non grata bashkë me të arratisurin nga drejtësia, po ashtu non grata Artan Grubi, pikërisht mbi bazën e dyshimeve se kanë ndikuar në vendime që i mundësuan Sasho Mijallkovit të gëzojë lirinë dhe t’i shpenzojë pasuritë e tij. Nëse dikush mendon se këto janë rastësi, atëherë nuk e kupton pse qytetarët janë të revoltuar”.
“Prandaj sot shtrojmë disa pyetje konkrete: Në sa lëndë tjera kanë qenë të përfshirë Gjoko Ristov dhe Enver Bexheti? Në sa raste kanë qenë pjesë e vendimeve për paraburgim, garanci financiare apo zvarritje procedurash? Cilat vendime konkrete kanë prodhuar lirime dhe shmangie nga përgjegjësia për njerëz të fuqishëm? Pyetja kryesore që mbetet është kush i ka mbajtur këta njerëz në këto pozita për kaq vite dhe pse?”, thonë nga VLEN.


